
Ish kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, theksoi se kjo forcë politike do kthehet prapë në shpresën për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Ndër të tjera, gjatë takimit me të rinjtë e Durrësit, ai u shpreh se ata që kanë thurur plane se do të zhdukin PD-në “duhet ta harrojnë, pasi do të ndodhë e kundërta”.
“Unë kam disa propozime që janë pjesë e një platforme jo thjesht time, por të PD-së, opozitës. Platforma që duan apo s’duan disa do të shkojë para. PD-ja do kthehet prapë në shpresën për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ta harrojnë ata që thurin plane se do ta zhdukin PD-në, e kundërta do ndodhë”, deklaroi nga qyteti bregdetar Basha.
Ish-kryedemokrati e pranoi se selia blu e “ka humbur udhën”, por për këtë shtoi se “po e gjejmë bashkë me ju, veçanërisht falë rinisë”.
Nga Shkodra – e cila u fitua nga socialistët për herë të parë – Basha diskutoi pikërisht mbi pyetjen se pse e dha dorëheqjen.
Ky veprim sipas tij erdhi në një situatë të pazakontë për PD-në dhe e bëri me qëllim që të kishte reflektim nga ana Sali Berishës, i cili për të është shkaktari i përçarjes së PD-së dhe se duhet të ishte përjashtuar me kohë nga grupi Parlamentar.
Por reflektim nuk pati, dhe këtë më së miri e “tregon humbja më 14 maj”.
“Ja ku jemi sot, skam asnjë pishman që kam marrë atë vendim para një viti, sepse mendoj që një nga detyrimet kryesore, sprova është që kur vijnë momente të tilla të sakrifikojnë veten apo të atyre që udhëheqin”.
Në këto zgjedhje lokale sipas tij nuk pati vetëm humbje, por edhe një heshtje të rinisë që zgjodhi të mos votojë.
Në këtë mënyrë Basha me të rinjtë theksoi se e vetmja mënyrë për të shpëtuar Shqipërinë nga situata ku ndodhet sot është që të rinjtë të mbushin sheshet dhe rrugët me pankarta, për t’i thënë jo të keqes.
“Me heshtjen tuaj ka kumbuar një mesazh që ju e keni refuzuar këtë lloj politike. Pa u zemëruar ju dhe pa folur ju me zë të lartë, pa dalë me pankarta për t’i thënë jo të keqes dhe për t’u përballur me të, për të mbushur rrugët dhe sheshet, Shqipëria do të vazhdojë të lëngojë”.
Ai u tregua shpresëplotë që ky është vetëm fillimi i një reagimi rinor.
“Çfarë dinë ata që erdhën të kërkojnë votën këtu për dëshirat, ëndrrat dhe nevojat tuaja?”, tha Basha teksa shtoi se Shkodra nuk e pranon arrogancën – duke akuzuar kështu opozitën e Berishës.
Ai ravijëzoi se beson se ditë më të mira do të vijnë, por s’ka pse “të presim për ditë më të mirë, por të punojmë për ditë më të mira”.
Basha përmes një postimi në Twitter do të reagonte për herë të parë pas shumë kohësh ndaj akuzave të ish-kryeministrit Sali Berisha se ishte “vegël në duar” të kryeministrit Edi Rama.
“Të kishte sulmuar Ramën aq sa ka sulmuar ata që nuk mendojnë si ai, rezultati nuk do të ishte ky. Por halli i SB është tjetër nga hallet e qytetarëve”, shkruante Basha në Twitter.
Sipas tij, “sot si dje ai shpik e kërkon armiq për të fshehur dështimin që mbolli duke vendosur interesin e tij mbi atë të demokratëve”.
Në një deklaratë për mediat gjatë 25 majit jashtë ambienteve të Kuvendit, Berisha e ironizoi me të qeshura mundësinë e rikthimit të Bashës në krye të PD-së.
Ai tha se kjo është shaka, dhe se Basha duhet të pyesë Ramën nëse e lejon apo jo.
“Ç’më tremb ai mua, po e përdor Rama si do. Mos bëj shaka. Të pyes e lejon Rama apo jo, është vegël në duar të Ramës. Bën se çfarë i thotë ai”, theksoi ish-kryeministri.
Megjithatë, kthimi i një retorike replikash mes të dyve, në distancë, tregon se kauza e PD-së mbetet ende pikë kyçe dhe se asnjë nga ata, nuk ka ndërmend të tërhiqet.
Partia Demokratike mund të rikthehet si shpressë e shqiptarëve vetëm nëse zhdukeni ju banditët e SHQUP-it, nga jeta politike dhe e popullit. I pari Sali Shpellar Berisha dhe, të gjithë ju të tjerët, pa përjashtim. PD duhet shkrir komplet dhe, rithemeluar nga e para.
PeDe - ja eshte e infektuar me virusin " BERISHE " or taj LULke !!! Ju nuk ndryshoni kurre nga mentaliteti Berishist.