PD “merr hak” ndaj PS-së, kallëzon në SPAK 73 deputetë: Penguan ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese

2 Tetor 2024, 11:19Politika TEMA
PD “merr hak” ndaj PS-së, kallëzon në SPAK 73

Grupi Parlamentar i PD kallëzon në SPAK 73 deputetë të PS, pasi sipas tyre "penguan ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese", si dhe "kanë konsumuar 2 vepra penale".

Në dokumentin zyrtar të depozituar tashmë në SPAK shkruhet mes të tjerash se socialistët në Kuvend kanë penguar ekzekutimin e dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës.

Kallëzimi i demokratëve vjen një ditë pasi një grup deputetësh socialistë kërkuan masa disiplinore ndaj kolegëve të tyre për incidentet e fundit në Kuvend, teksa policia bëri një padi në SPAK për 23 prej tyre, për akuzat e kanosjes për shkak të detyrës apo shkatërrimit të pronës.

“Pas botimit në Fletoren Zyrtare të vendimit të Kuvendit për mosdërgimin e mandatit të Olta Xhackës në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar të papranueshme mbrojtjen politike dhe pengimin ndaj drejtësisë që mazhoranca po bën për rastin e ish-ministres dhe deputetes Olta Xhaçka, duke penguar zbatimin e vendimit nr. 1/2023 dhe nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetutese, Grupi Parlamentar i PD thekson në kallëzim se ky veprim përbën jo vetëm minim të demokracisë dhe rrënim të besimit të qytetarëve tek Gjykata Kushtetuese dhe sistemi i drejtësisë, por gjithashtu edhe veprim të kundërligjshëm që dënohet nga Kodi Penal”.

Sipas PD, Neni 81 i ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese” specifikon se:

“1. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim. ...4. Moszbatimi ose pengimi i ekzekutimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese dënohet sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal.”. Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë ka parashikuar dy vepra penale, që të garantuar zbatimin e vendimeve gjyqësore. Konkretisht, neni 320 i Kodit Penal parashikon se kryerja e veprimeve të bëra me qëllim që të mos ekzekutohet ose pengohet ekzekutimi i vendimit gjyqësor, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet”. Ndërkohë neni 320/a i Kodit Penal parashikon se mosekzekutimi pa shkaqe të përligjura i një vendimi të gjykatës, nga punonjësi i ngarkuar me ekzekutimin e vendimeve, dhe kur kjo vepër kryhet për të favorizuar persona që kanë interes për mosekzekutimin e vendimit, dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet”.


Opozita pretendon se deputetët e kallëzuar, “përmes vendimeve nr. 41/2024 dhe 90/2024 të shumicës në Kuvendin e Shqipërisë, kanë kryer veprime aktive me qëllim që të mos ekzekutohet apo pengohet ekzekutimi i dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nr. 1/2023 dhe 55/2024”.

“Ky mosekzekutim është bërë pa shkaqe të përligjura, edhe pse ato shprehimisht kanë qenë të ngarkuara nga Gjykata Kushtetuese me ekzekutimin e këtyre vendimeve gjyqësore, me qëllim favorizimin e koleges së tyre Olta Xhaçka, që ka interes personal për mosekzekutimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftim.
Në fund, Grupi Parlamentar i PD konfirmon se i “ka kërkuar nga SPAK që të regjistrojë procedimin penal për kryerjen e veprave penale të parashikuara nga nenet 25, 320 dhe 320/a të Kodit Penal, kryer në bashkëpunim, ndaj 73 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, anëtar të Grupit Parlamentar të PS; si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, duke përfshirë, por pa u kufizuar në, administrimin e praktikës së plotë shkresore që provon kryerjen e veprave penale”.

1 Komente

  1. D
    Demokrati idealist

    Legenët e sali malokut janë bër si ato dhent e ndëkërryera që rrotullohen rreth vetes e nuk dijnë të ndalen.Ptu ju hëngërt mortja!Populli ju ka zgjedhur t’i përfaqësoni në kuvend e të ngrini problematika e jo të godisni me shishe e hekura kryetaren e parlamentit e ministrat duke penguar punën normale të kuvëndit e pas të digjni karriket që janë pronë e popullit.Ptu malok qelbësira e të pagdhëndur.Dru me pre.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje