Përplasja në PD ‘legjitimon’ zgjedhjen e Presidentit vetëm me votat e PS

2 Maj 2022, 14:16Politika TEMA

Përplasja në PD ‘legjitimon’ zgjedhjen e Presidentit

Tradicionalisht Kuvendi ka nisur procedurat dhe përmbyllur zgjedhjen e Presidentit të vendit para afatit përfundimtar prej 60 ditësh, që sanksionohet në Kushtetutë.

Si shembull, Ilir Meta u zgjodh pesë vite më parë më datë 29 prill të 2017-s President i vendit dhe u betua thuajse tre muaj më vonë, më 24 korrik.

Socialistët thonë se po respektojnë këtë traditë me nisjen e procedurave për pasuesin e Ilir Metës, ndërsa nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka interpretuar ngutje të mazhorancës për ta kapur edhe këtë institucion.

Gjithsesi, PS ka thirrur për më 4 maj konferencën e kryetarëve për këtë çështje. Problemi është se kush do ta përfaqësojë opozitën në këtë konferencë, duke qenë se në Kuvendin e së shtunës Enkelejd Alibeaj u shkarkua nga posti i kryetarit të grupit parlamentar.

Por, duke qenë se Alibeaj nuk e njeh Kuvendin e Berishës ai mund të marrë pjesë në këtë konferencë dhe paralelisht me pjesëmarrjen në Kuvend të depozitohet nga mbështetësit e Berishës kërkesa ku njoftohet Kuvendi se Alibeaj nuk është më kryetar i grupit të demokratëve.

Të gjitha zhvillimet në kampin e opozitës e lënë praktikisht të vetme mazhorancën, pa një palë përballë që të diskutojë për emrin e ri të Presidentin, edhe nëse ofertën për një emër konsensual e ka të sinqertë.

Në këtë pjesë, dy grupimet brenda PD-së janë të një mendje se ofertës së PS-së i mungon sinqeriteti, por ndahen për mënyrën se si duhet t’i përgjigjen kësaj oferte. Enkelejd Alibeaj thotë se opozita duhet të flasë me mazhorancën, ndërsa Sali Berisha e quan procesin farsë dhe bën thirrje për bojkot.

Me këto qëndrime të kundërta përballë, socialistët do të mbledhin konferencën e kryetarëve më 4 maj. Sipas Kushtetutës, shtatë ditë pas kësaj konference duhet të mbahet votimi i parë në Kuvend për Presidentin e ri.

Kjo do të thotë se pas 4 majit mund të kemi të paktën një emër publik për pasuesin e Ilir Metës në Presidencë dhe më 10 maj të mbahet votimi i parë nga pesë të tilla që parashikon Kushtetuta. Sipas Kushtetutës, në tre raundet e para kërkohet shumica prej 84 votash në Kuvend, ndërsa në dy raundet e fundit mjafton edhe shumica e thjeshtë prej 71 votash.

Shumicën e cilësuar PS e vetme nuk e ka, por ka shumicën e thjeshtë për të vendosur për Presidentin e ri.

Lini një Përgjigje