“Prokurorëve të rretheve u duket vetja Altin Dumani” - Mero Baze: Jo “Republikë Prokurorësh”, nevojiten ndryshime në reformën në drejtësi!

7 Korrik 2025, 22:19Politika TEMA
“Prokurorëve të rretheve u duket vetja Altin Dumani” -

Mero Baze, gjatë një interviste për Ylli Rakipin në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ishte kritik me veprimet e SPAK, duke sugjeruar se reforma në drejtësi ka nevojë për analizë dhe ndryshime për të përmirësuar problemet.

Ai e cilësoi mbajtjen në paraburgim të personave që nuk përbëjnë rrezikshmëri për hetimet, si një praktikë mjaft arbitrare dhe problematike, që duhet ndryshuar me ligj.

“Janë qindra njerëz të burgosur, në mënyrë paraprake pa vajtur në proces gjyqësor, që nuk kanë lekë për avokat, nuk i pyet njeri, rrinë në burg, është mbushur Shqipëria është bërë ti Guantanamo.

Ajo që është më e rënda, fakti që drejtësia e re, pasi prodhoi një stanjacion, për shkak të ndërrimit të sistemit të drejtësisë, ka prodhuar një mungesë kohore të drejtësisë dhe një drejtësi e vonuar, është një drejtësi e munguar. Ka njerëz që po vdesin pa mbyllur procese gjyqësore. Shembulli i keq i SPAK te Prokuroritë e tjera, është arroganca. Këtë pushtet që ka fituar SPAK, që ia ka dhënë politika dhe mbështetja ndërkombëtare, tani është konvertuar në prokuroritë e rretheve, prokurorëve të rretheve, u duke vetja Altin Dumani dhe janë kthyer… 

Fjala vjen Prokurori i Sarandës kthehet në shef urbanistike apo i Vlorës kthehet në shef urbanistike të Vlorës, apo çfarë pune ka në Vlorë me leverdi. Arroganca e tyre, sjellja e tyre si “Republikë Prokurorësh”, e ka kapilarizuar këtë arbitraritetin dhe dhunën e drejtësisë mbi qytetarin, sa e ke shumë të vështirë. Në vend që SPAK të ndikonte për të rregulluar standardet e drejtësisë në prokuroritë e tjera, i ka bërë ato edhe më keq. Sillen të gjithë si SPAK, pa patur fuqinë e SPAK. Prokurorët dhe gjyqtarët që kanë kaluar vettingun, janë tani më të këqinj se ata që nuk e kanë kaluar, sepse quhen të pastruar.

Reforma në drejtësi nuk bëri asgjë thelbësore, jo vetëm që ka nevojë për një raund tjetër, që të analizojë gjithë këto gabime që janë bërë dhe ti kufizojë me ligj dhe jo me fjalë. Nuk mund të paraburgosen njerëz kot, përveç atyre që vrasin dhe kapen në flagrancë. Nuk mund të burgosësh njeriun kot, se ka dyshime që s'ke futur filan letër mirë në dosje, hajde në burg ti se e gjejmë rrugës.

Nuk mund të shkatërrosh jetën e qindra apo mijëra njerëzve, vetëm për të treguar se ke një pushtet që ta ka dhënë ligji në dorë. Nuk jam ekspert drejtësie, por ekspertët e drejtësisë duhet të nxjerrin të metat. Reforma në drejtësi ka 7 vite që kolaudohet, dhe të thonë gjatë këtyre 7 viteve, kemi këto problematika, votat i kanë, ta ndryshojnë dhe është taksative, ndryshe do të bëhemi qesharakë, kanë bërë qesharakë vende më të mirë se ne. 

Rumanisë iu kthye në estradë reforma në drejtësi, Kroacisë po ashtu, prandaj duhet të mësojmë nga dështimet. Në Rumani, bëhej shefi i shikut, prokurori dhe ai i ambasadës amerikane bashkë, thoshin merre atë rrase brenda. Dilte pastaj shefi shikut nëpër male, fshehurazi, tregonte po më tha ambasada, më tha filani, e me rradhë, dilte në Youtube pastaj”, deklaroi Baze. 

3 Komente

  1. M
    Me koncesion drejtesine, nuk kemi shpetim ndryshe

    Duhet komplet drejtesi tjeter Mero. Nje drejtesi me koncesion tek Italia do na shpetonte nga Berisha e Rama.

    Përgjigjjuni
    1. N
      Nuk behet krahasim....

      Prokuroret e rretheve nuk marrin rrogen e Dumanit, Dados e Banit o Mero!

      Përgjigjjuni
      1. A
        Asd

        Eshte shume shpejte akoma te trembemi nga roli i prokuroreve ne kete Republiken tone te korruptuar. Mire do te ishte qe prokuroret te ndjehen te gjithe si Altin Dumani sepse ligjerisht e kane fuqine, por ne pergjithesi ata e kane zvogeluar rolin e tyre. Kjo eshte aresyeja pse te gjithe presin nga Altini. Baze i meshon cuditerisht mbrojtjes se Veliajt duke krijuar lloje inskenimesh e panoramash frikesuese anti-prokuror. Por e keqja nuk ka ardhur nga prokuroret. Perkundrazi ata tani mezi po zgjohen aty ketu. Korrupsioni dhe te korruptuarit, shitja dhe blerja e drejtesise dhe e parimeve e kane katandisur Shqiperine si i mbyturi qe sapo e kane nxjerre nga uji ne gjendje asfiksie. Prokuroret duhet lene te punojne. Larg duart!

        Përgjigjjuni

        Lini një Përgjigje