Rama: “Mjedisi, kapitulli më sfidues i negociatave me BE”

28 Gusht 2025, 11:22Politika TEMA
Rama: “Mjedisi, kapitulli më sfidues i negociatave me BE”

Kryeministri Edi Rama prezantoi projektligjin për krijimin e Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve, një ndërmarrje shtetërore e cila do të merret me menaxhimin e mbetjeve në nivel kombëtar. 

Kryeministri Edi Rama e cilësoi mjedisin si kapitullin më të vështirë dhe sfidues të procesit të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Rama u shpreh se në disa zona, si në Himarë, ka pasur përmirësime të dukshme krahasuar me një vit më parë, por sipas tij, vendi ka ende shumë punë përpara.

“Me Himarën e më tutje gjërat kanë shkuar më mirë sesa vitin e shkuar. Ka një përmirësim inkurajues. Ne duhet të vazhdojmë me një ritëm ende më të lartë sa i përket reformave dhe masave ligjore në funksion të objektivit prioritar, kombëtar për anëtarësimin në BE në fund të kësaj dekade”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se procesi i reformave në fushën e mjedisit nuk do të administrohet nga bashkitë, por do të drejtohet në mënyrë të centralizuar, duke i cilësuar këto masa si vendimtare për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit.

“Dëshiroj që të gjithë pa përjashtim, në të gjitha nivelet dhe territorin që kanë një funksion publik, si të zgjedhur apo si nëpunës të shtetit të lidhur me çështjet e mjedisit, të vetëgjyqësohen se ky është kapitulli më sfidues i negociatave dhe rrugës për në BE”, u shpreh kreu i qeverisë./ TemA

1 Komente

  1. T
    Tina

    Po s u be cdo dite pune: ne shkolle ,ne familje ,ne komunitet per ndergjegjesimin qe ne kopesht e lart per higjenen mjedisore, veshtire eshte te ndryshoje ky popull. Ligji,ligji ligji. Kush hedh per toke mbeturina, inerte duhet te denohet me gjobe. Lokalet ,marketet mos t i hedhin mbeturinat ne koshat e perbashketa.,se mbushen dhe i hedhin ne toke tjeret. Te kene nje orar ne oret e vona t jua mbledh makina bizneseve. Prane dyqaneve te peshkut s kalon dot,se qelbet ere.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje