Raporti: Financimi i partive politike në Shqipëri kryhet në mister e mungesë transparence

23 Qershor 2023, 13:10Politika TEMA

Raporti: Financimi i partive politike në Shqipëri kryhet në

Transparenca nuk është pika e fortë e financimit në Shqipëri.

Të paktën kështu kuptohet nga raporti i fundit i Observatorit të ekonomive të paligjshme në Evropën juglindore për financimin e Partive Politike.

Aty vihet në dukje fakti që në Shqipëri nuk ka një listë të publikuar zyrtare të ndërmarrjeve shtetërore dhe rrjedhimisht nuk ka as të dhëna të qarta për të ardhurat neto ose numrin total të punonjësve.

Në raport shkruhet se menaxhimi dhe proceset në shumë prej këtyre ndërmarrjeve ndikohen nga faktorë politikë më shumë se nga forcat e tregut apo strategjia e biznesit.

Për këtë çështje janë përmendur dy raste studimore: Furnizuesi dhe distributori i energjisë elektrike dhe Albpetrol.

Fillimisht, Observatori, shkruan se çështjet financiare të KESH-it dhe OSHEE-së nuk janë audituar siç duhet dhe ka pasur akuza për keqmenaxhim.

“OSHEE ka qenë objekt i akuzave të shumta për korrupsion. Konkretisht, ish-drejtori i saj i prokurimit dhe dy zyrtarë të tjerë u arrestuan në tetor 2020 nga Struktura e Posaçme për Korrupsion”.

Kjo pasi ata favorizuan një kompanie italiane në një tender konsulence në vitin 2016 në këmbim të ryshfetit.

Për më tepër, pas dy vitesh në arrati, ish-drejtori i kabinetit në OSHEE, personi përgjegjës për marrjen e ryshfetit prej 132 mijë eurosh, u arrestua në dhjetor 2022.

Në raport theksohet se vetë sektori energjetik shqiptar nuk është i vetëqëndrueshëm financiarisht.

Shto këtu faktin se Komisioni Evropian ka paralajmëruar qeverinë se detyrimet kontingjente mbeten të larta dhe mund të rëndojnë në raportin e borxhit.

Shembulli i dytë i marrë në raport është Albpetrol, pasi është një ndërmarrje shtetërorë e rëndësishme shqiptare përgjegjëse për prodhimin dhe tregtimin e naftës dhe është një nga punëdhënësit më të mëdhenj në qarkun e Fierit.

“Gjatë njëzet viteve të fundit, qeveria shqiptare është përpjekur disa herë t’i japë Albpetrol një koncesion, të zhvillojë një marrëveshje partneriteti publik-privat, apo edhe të privatizojë kompaninë”.

Në 2013 – shkruhet në raport – përpjekja dështoi për shkak të akuzave për korrupsion.

Por që nga ai vit, Observatori thekson se kompania shtetërore e naftës është e ndjeshme ndaj korrupsionit për shkak të mënyrës se si jep kontratat e prokurimit publik, menaxhimit të të ardhurave, zbatimit të marrëveshjeve të ndarjes së prodhimit, mungesës së transparencës në raportimin e buxhetit dhe modelit të saj të qeverisjes së korporatës.

Situata nuk paraqitet më e ndritur në sektorin e parteriteti publik-privat.

“PPP-të janë përdorur gjerësisht në Shqipëri gjatë dekadës së fundit dhe shumë nga këto marrëveshje janë mbuluar me fshehtësi”.

Kontratat dhe koncesionet më të diskutueshme të PPP-së kanë qenë për ndërtimin dhe administrimin e impianteve të trajtimit të mbetjeve urbane.

Hetimet zbuluan se këto kontrata fitimprurëse u dhanë nëpërmjet proceseve të nxituara pa transparencë apo llogaridhënie të duhur.

“Politikanët e nivelit të lartë që kanë shërbyer në qeverinë aktuale u arrestuan dhe janë në pritje të seancave gjyqësore për akuzat e përfshirjes në korrupsion dhe shpërdorim pushteti për favorizimin e kompanive të veçanta për të fituar këto kontrata”.

Megjithatë, nuk ka pasur një rishikim zyrtar të procesit, pavarësisht kritikave të mëdha dhe hetimeve të vazhdueshme për ndërtimin e inceneratorëve të mbetjeve.

Ndërkaq, Shqipëria ka ndërmarrë një sërë hapash për të përmirësuar kuadrin e saj ligjor për prokurimin publik si pjesë e procesit të anëtarësimit në BE.

“Në vitin 2020, Shqipëria miratoi një strategji të prokurimit publik për 2020–2023 dhe një ligj të ri për prokurimet publike, pas rekomandimeve të Komisionit Evropian. Megjithatë, kontratat e prokurimit janë negociuar pa publikim paraprak”.

Këtu përmendet lidhja me situatat e krizës si pandemia COVID-19 dhe projektet e rindërtimit pas tërmetit.

Një pikë tjetër e raportit ishte edhe financimi i fushatës së vitit 2021, ku theksohet se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar rregullore të detyrueshme, por të cilat më vonë rezultuan në disa paqartësi ligjore.

“Lidhur me financimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021, ODHIR vuri në dukje se konkurrentëve nuk u kërkohej të zbulonin raportet financiare përpara ditës së zgjedhjeve, duke kufizuar transparencën dhe aftësinë e votuesve për të bërë një zgjedhje të informuar në lidhje me burimet e fondeve të fushatës”.

Lini një Përgjigje