Nga Rajmonda Basha
Pas shumë muajsh mungesë, Komisioni i Reformës Zgjedhore është kthyer në tryezë.
Mbledhja e parë do të realizohet të premten në orën 11:00, ku do të drejtohet nga dy bashkëkryetarët e këtij komisioni, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj.
Puna e komisionit është zvarritur prej kohësh dhe deri më tani nuk ka pasur rezultate konkrete.
Në lidhje me emrin e opozitarit, deputetit Alibeaj ka pasur pakënaqësi nga radhët e grupimit që mbështesin ish-kryeministrin Sali Berisha dhe Gazment Bardhin.
Ata vazhdimisht kanë kërkuar që të ndryshohet përbërja e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, si dhe bashkëkryetarin, për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn me Oerd Bylykbashin.
Rifillimin e punës e ka përshëndetur dhe OSBE, e cila e ka konsideruar si një reformë të rëndësishme.
Ndërkohë, gjatë ditës sotme Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kanë takuar ndarazi përfaqësuesit e OSBE-së në Shqipëri ku dhe kanë zbardhur disa nga çështjet të disktuara në këtë takim.
“Pata kënaqësi të takoja sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri, me të cilët diskutuam mbi procesin e Reformës Zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Gjiknuri.
“I sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik”, bën me dije Alibeaj.
Nga ana tjetër kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka përsëritur mirënjohjen për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri.
“Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti”.
Ai ka prezantuar katër prioritetet e tij: listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik.
“Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës”.
Kjo deklaratë e bërë nga Lulzim Basha pas seancës plenare të së hënës ka trazuar jo pak faktorin ndërkombëtar në Tiranë.
Ambasada amerikane ka mohuar të jetë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi për reformën zgjedhore.
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA-ve takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore”, tha ajo për mediat.
Edhe Ambasada britanike zgjodhi të sqarojë pozicionin e saj përmes një deklarate për shtyp.
“Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët”.
Në të njëjtën linjë ishte edhe delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë.
“Në përgjigje të raportimeve që qarkullojnë në media, dëshirojmë të sqarojmë se ndërkohë që BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë; vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Siç e kemi thënë edhe më parë, përfshirë edhe Raportin e vitit 2023 për Shqipërinë, reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve”.
Vlen të kujtohet se dy bashkëkryetarët, një ditë më parë i kanë drejtuar edhe një letër OSBE-së në Shqipëri.
Ata kanë kërkuar që prezenca të kontribuojë me ekspertë të fushës së zgjedhjeve, të ODIHR-it, për të asistuar punën e këtij Komisioni.
“Mënyra e komunikimit të ekspertëve të caktuar nga ju, me Komisionin e Reformës Zgjedhore, mund të përcaktohet në vijim të bashkëpunimit tonë të mëtejshëm”.
Çfarë propozon PD-ja zyrtare?
Ndryshimi i përllogaritjes së mandateve në listat emërore të deputetëve të bëhet në bazë të votave të përgjithshme dhe jo sipas zonave zgjedhore.
“Zonë zgjedhore është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore”, thuhet në propozim, që nënkupton sistem proporcional kombëtar.
Sipas propozimit, sistemi aktual i fragmetizuar ka defekte dhe sistemi me 1 zonë zgjedhore garanton barazinë e votës së çdo qytetari. Nga një sistem i tillë përfitojnë më shumë partitë e vogla që futen në zgjedhje, votat e të cilave nuk arrinin të nxirrnin një mandat deputeti në përballje me formulën aktuale ku partitë e mëdha favorizohen në formulën e përllogaritjes së votave sipas qarqeve.
Gjithashtu kërkohet ndryshimi i formulës së llogaritjes së votave për kandidatët fitues brenda listave shumë emërore të partive politike duke propozuar lista të hapura; cili kandidat ka marrë më shumë vota shpallet fitues dhe nuk favorizohet rreshtimi i tyre sipas listës që sjell kryetari i partisë.
“Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat të listës shumë emërore”.
Aktualisht me ndryshimet e fundit në Kod listat janë gjysëm të hapura, pasi ka një vijë preference për emrat që përzgjedh kryetari i partisë, por mund të kapërcejnë në listën fituese kandidatë që arrijnë të marrin më shumë vota nga ata që janë në krye të listës.
Në paketën e demokratëve parashikohen dhe rregulla dhe detyrime të KQZ-së për të siguruar votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetuese mohimin e të drejtës së votës shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve.
Propozimet, prekin dhe pjesën e sjelljes së mediave në fushatën zgjedhore, duke ashpërsuar gjobat për gazetarët dhe operatorët televizivë në rastet e shkeljes së Kodit Zgjedhor dhe duke ritheksuar rregullat për transmetimet e reklamave politike.
PD propozon gjoba ekzekutive nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në masën nga 100 mijë lekë për reporterin që ka përgatitur kronikën, me 300 mijë lekë redaktorin përgjegjës, me 500 mijë lekë drejtorin e informacionit dhe me 800 mijë lekë drejtorin e përgjithshëm.
Këto gjoba aktualisht janë 20 mijë lekë për reporterin, 30 mijë lekë për redaktorin përgjegjës, 35 mijë lekë për drejtorin e informacionit dhe 60 mijë lekë për drejtorin e përgjithshëm.
Edhe në pasqyrimin e fushatës në televizionet kombëtare dhe private rritet masa e gjobës me 500 mijë lekë më shumë në rast se konstatohet shkelje e raporteve kohore në favor të një partie.
Komisioni për Reformën Zgjedhore u ngrit me vendim të Kuvendit me datë 10 shkurt 2022, por nuk arriti të ketë asnjë produkt real pune në tre mandate 6-mujore.
Ndërsa, pritet në javët në vijim të shihet se si do të jetë rezultati i takimeve mes palëve.
Lini një Përgjigje