Ritmet e afrimit me BE-në, Shqipëria vetëm 0.1 pikë pas Malit të Zi

28 Korrik 2026, 17:10Politika TEMA
Ritmet e afrimit me BE-në, Shqipëria vetëm 0.1 pikë pas

Shqipëria ka shënuar një nga përmirësimet më të mëdha në rajon në Indeksin Evropian të Gatishmërisë 2025, duke ngushtuar ndjeshëm diferencën me Malin e Zi, vendin që kryeson procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në vetëm katër vjet, Shqipëria është ngjitur nga 5.1 pikë në vitin 2021 në 6.7 pikë në vitin 2025, ndërsa tashmë renditet vetëm 0.1 pikë pas Malit të Zi, i cili vlerësohet me 6.8 pikë.

Krahasimi i dy vendeve tregon se Shqipëria ka epërsi në treguesit me ndikimin më të madh ekonomik. Në Indeksin e Besimit dhe Stabilitetit, vendi ynë vlerësohet me 8.5 pikë, kundrejt 6.1 pikëve të Malit të Zi. Ky rezultat tregon një mjedis më të qëndrueshëm dhe më të besueshëm për investitorët, duke forcuar potencialin për tërheqjen e kapitalit dhe zhvillimin ekonomik.

Shqipëria kryeson gjithashtu në treguesin e Atraktivitetit dhe Integrimit në Treg, me 9 pikë, një pikë më shumë se Mali i Zi. Indeksi vlerëson potencialin e ekonomisë për t’u integruar në tregun e përbashkët evropian dhe për të tërhequr investime.

Edhe në treguesin që mat zhvillimet më të fundit, Shqipëria renditet përpara me 6.4 pikë, kundrejt 6 pikëve të Malit të Zi.

Megjithëse Mali i Zi vijon të ketë një avantazh të lehtë në përgatitjen institucionale dhe progresin e përgjithshëm të negociatave, rezultatet e indeksit tregojnë se Shqipëria po afrohet me ritme të shpejta, e mbështetur nga një klimë më e favorshme ekonomike, stabilitet më i lartë dhe një atraktivitet më i madh për investimet.

Lini një Përgjigje