Si paralajmërimi i Nanos parapriu sulmet e NATO-s në Kosovë

31 Tetor 2025, 20:50Politika TEMA
Si paralajmërimi i Nanos parapriu sulmet e NATO-s në Kosovë

Në qershor të vitit 1998, në kulmin e tensioneve në Kosovë dhe shumë përpara se NATO të ndërhynte ushtarakisht, Kryeministri i Shqipërisë, Fatos Nano, dha një intervistë paralajmëruese për gazetën International Herald Tribune (pjesë e grupit The New York Times).

Nga Salzburgu i Austrisë, ku po merrte pjesë në një konferencë ekonomike rajonale, Nano u bënte thirrje aleatëve perëndimorë të veprojnë menjëherë për të ndalur makinerinë ushtarake të Slobodan Milosheviçit, duke paralajmëruar se në të kundërtën, “në dy javë, do të kemi një Bosnjë të re”.

Më poshtë, intervista e plotë e publikuar më 26 qershor 1998:

(Peter S. Green / International Herald Tribune, 26 qershor 1998)

Pyetje: Cili është rreziku që paraqet Kosova për botën e jashtme?

Nano: Rrezikojmë që, nëse nuk veprojmë tani dhe në bashkërendim me komunitetin ndërkombëtar – veçanërisht me NATO-n si krahu i saj mbrojtës – të humbasim kontrollin mbi gjithçka, si dhe mbështetjen e partnerëve që ende punojnë për një zgjidhje paqësore në rajon: qeveritë e Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe [udhëheqësin e shqiptarëve të Kosovës] Ibrahim Rugova në Prishtinë. Rugova rrezikon të humbasë kontrollin mbi shqiptarët atje, nëse nuk ndalet menjëherë makineria ushtarake serbe që po vret civilë në fshatrat shqiptare të Kosovës. Shpresoj që askush të mos harrojë çfarë ndodhi në Bosnjë. Le të mësojmë nga gabimet e së kaluarës.

Pyetje: A ka ardhur koha që bota të ndërmarrë veprime ushtarake?

Nano: Duhet të ketë sulme ajrore të NATO-s për të ndalur serbët. Kjo duhet bërë tani, sepse, përndryshe, brenda dy javësh, kam frikë se do të kemi një Bosnjë të re, me të gjitha pasojat që kjo do të sillte për Evropën Perëndimore. Në kufirin tonë verior keni një skenë të vërtetë lufte: tanke që lëvizin e qëllojnë, artileri që bombardojnë dhe ushtarë që shtiejnë me armë. Nëse kjo dhunë arrin në qytetet e mëdha si Prishtina, Rugova do të harrohet plotësisht.

Pyetje: Sa mund të përhapet konflikti nëse shpërthen plotësisht në Kosovë?

Nano: Shqipëria, Maqedonia dhe Greqia kanë ndërtuar një partneritet të mirë në jug të kontinentit dhe po përparojnë në pengimin e përhapjes së konfliktit. Por çdo shpërthim i dhunës mund ta shkatërrojë këtë partneritet evropian dhe të sjellë probleme edhe për vendet e Bashkimit Evropian. Nuk bëhet fjalë vetëm për valë refugjatësh që mund të vërshojnë drejt Greqisë, Italisë apo vendeve të tjera. Destabilizimi i Ballkanit do të thotë “libanizim” – dhe kjo do të thotë destabilizim i të gjithë Evropës.

Pyetje: A mund të shndërrohen shqiptarët e Kosovës në terroristë?

Nano: Kosova është shumë afër Evropës. Nuk është vetëm afër Shqipërisë – është afër Greqisë, Italisë, Gjermanisë dhe Zvicrës, ku jetojnë ende shumë refugjatë kosovarë. Reagime spontane mund të shumëfishohen. Në këtë pikë, skenari më i mirë që mund të parashikojmë është ai i Irlandës së Veriut. Dhe nëse një situatë e tillë përhapet në jug të Evropës, nuk mendoj se do ta përballonim dot.

Pyetje: Çfarë duhet të bëjë konkretisht NATO?

Nano: Të gjitha instalimet e artilerisë, raketat dhe njësitë e tankeve që qëllojnë mbi civilët në Kosovë duhet të neutralizohen. Nëse kjo kërkon sulme ajrore, atëherë NATO duhet t’i ndërmarrë ato.

Pyetje: Deri ku mund të shkojë Milosheviçi në përpjekjet e tij për ta mbajtur Kosovën pjesë të Jugosllavisë?

Nano: Milosheviçi nuk do të ndalet kurrë, sepse po lufton për pushtetin e tij personal në Serbi. E vetmja mënyrë për ta ndalur është të ndërpritet funksionimi i makinerisë së tij luftarake. Ai po shpenzon rreth 1.7 milionë dollarë në ditë për luftën e tij në Kosovë.

Pyetje: Çfarë do të bëjë Shqipëria? Sa mund të angazhohet ajo në mbështetje të veprimeve ushtarake kundër Serbisë?

Nano: Shqipëria nuk ndihet e vetmuar. Ajo është pjesë e strukturave të Partnership for Peace në NATO dhe do të bëjë gjithçka që mundet brenda këtij kuadri. Por nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk e kupton se është në interesin e tij të ndërmarrë veprime ushtarake kundër serbëve, atëherë NATO duhet të veprojë vetë.

Lini një Përgjigje