Sindroma e Kadriut dhe prangat e një shoqërie që s’njeh ndryshim

24 Shtator 2025, 17:20Politika TEMA
Sindroma e Kadriut dhe prangat e një shoqërie që s’njeh

Nga Nju Jorku, Marko Caka

Duke ndjekur nga larg zhvillimet politike në Shqipëri, gjithnjë e më shpesh më zë veten duke menduar: “Mirë që nuk jetoj më atje.”

Dhe kjo nuk është një mendim i përkohshëm zemërimi, por një reflektim i thellë i asaj që shoh dhe ndjej prej më shumë se tri dekadash. Kam lënë pas Shqipërinë 34 vjet më parë, kur regjimi i vjetër ishte në grahmat e fundit, por sot, pas kaq vitesh, më duket sikur jam larguar vetëm fizikisht. Sepse mendësia, modeli i pushtetit, dhe sidomos mënyra si politika e trajton njeriun, janë të njëjtat. Nuk është hera e parë që në politikën shqiptare, një figurë e fuqishme kthehet në armik sapo udhëheqësi vendos ta flijojë. Rasti i fundit me Erion Veliajn është një déjà vu historike. Një njeri i besuar i pushtetit gjendet papritur i braktisur, sulmuar, përçudnuar, nga të njëjtët njerëz që deri dje betoheshin për të.

Sot, pas më shumë se tri dekadash “tranzicion”, shoh se politika shqiptare ka ndërruar vetëm ngjyrat dhe fytyrat. Por sistemi është i njëjti ku udhëheqësi ka gjithmonë të drejtë, shokët janë besnikë vetëm për aq kohë sa nuk rrezikojnë interesin personal, dhe armiku i ditës shpallet me një urdhër të vetëm.  Rasti më i fundit, ai i Erion Veliajt, nuk është thjesht një skandal i radhës. Është dëshmi e qartë e sindromës së Kadriut , një trashëgimi toksike që politika shqiptare nuk arriti ta shpëtojë kurrë nga vetja. Kujtoni mbledhjet famëkeqe të udhëheqjes komuniste, kur Kadri Hazbiu, një nga më besnikët e partisë  u shndërrua në armik brenda natës. Si një kufomë që nuk e di ende që ka vdekur, ai përpiqej të shpëtonte, ndërkohë që të gjithë të tjerët i hidhnin benzinë zjarrit që e kishte vendosur vetë udhëheqësi. Sepse në atë sistem, lojaliteti nuk të mbron, dhe kush guxon të dalë nga rreshti, digjet.  Ajo video e 1982-shit që sot është bërë viral në të gjitha rrjetet sociale është ende sot një dëshmi e mekanizmit të terrorit ideologjik, i cili në formë tjetër, por me të njëjtin thelb, vazhdon të ripërsëritet.

Është sindroma e Kadri Hazbiut e rikthyer plotësisht. Një sistem ku miqtë nuk ekzistojnë, vetëm ushtarë që kthejnë armët sipas sinjalit të liderit. Në diktaturë, kjo sillte ekzekutim politik deri në atë fizik. Në demokracinë e sotme shqiptare, sjell linçim publik, arrestime selektive, dhe “drejtësi” me regji politike.

Ky realitet nuk është drejtësi. Është përsëritje e një kulture politike që s’ka ndryshuar që nga koha e mbledhjeve të Byrosë. Loja është e njëjtë me ndërtimin dhe shkatërrimin e figurave, vetëm për të ruajtur pushtetin e udhëheqësit.

 E shkuara, për fat të keq, nuk është ndarë nga e tashmja. Dhe ky është thelbi i krizës. Nuk kemi bërë dot asnjëherë një ndarje reale me të kaluarën, as në nivel sistemi, as në nivel mendësie. Prandaj "udhëheqësi" ka ende pushtet absolut, prandaj "shokët" e djeshëm shndërrohen në armiq me një të rënë të lapsit, dhe prandaj politika shqiptare mbetet, në thelb, një teatër pa ndërrim skenografie — vetëm me aktorë të rinj që luajnë të njëjtin skenar të vjetër.

43 vite më pas, historia përsëritet. Veliaj, dikur dora e djathtë e pushtetit aktual, gjendet sot i braktisur nga të gjithë. Miqtë që dikur betoheshin “për kokën e Lali Erit” janë zhdukur, ose më keq, janë rreshtuar kundër tij, të frikësuar, të urdhëruar, apo thjesht oportunistë. Dhe pikërisht këtu qëndron fabula tragjike e këtij vendi: udhëheqësi nuk ka nevojë për miq, por për ushtarë. Dhe ushtarët nuk njohin besnikëri, as kurajo, vetëm bindje të verbër. E gjitha kjo nuk është thjesht një histori e radhës. Është pasqyrimi më i qartë i një kulture politike që s’ka ndryshuar kurrë. Një kulturë që nuk pranon ndarje me të kaluarën, por e riciklon atë në forma gjithnjë e më të sofistikuara. Dhe ndërsa populli lodhet, zhgënjehet, ikën, politika shqiptare mbetet një teatër pa skenar të ri, ku ndryshojnë vetëm aktorët, por loja mbetet e njëjtë.

Shumë emigrantë si unë ndihen “me fat” që janë larg. Jo sepse duan të jenë larg Shqipërisë, por sepse nuk janë më peng i një sistemi që përpin fëmijët e vet.  Prandaj, nëse ndonjëherë ndiheni fajtorë që jeni larguar, mos u ndjeni. Sepse ndonjëherë prangat e emigracionit janë më të lehta se zinxhirët e një shoqërie që nuk di të çlirohet as nga frika, as nga e kaluara.

5 Komente

  1. M
    Marko Makaruni

    Mos mbaj merak o Marko nuk ka humbur as vendi dhe as ti qe nuk jeton ketu. Me gjase ka qene shpetim per ty dhe ne qe ste kemi dhe as te njohim, nese ekziston vertete. Sot u kujtua Merua per ty se ka hall parate qe mund ti mungojne nga burgosja Lalit.

    Përgjigjjuni
    1. P
      Pjeter

      Mese e vertete. Ngjashmeria me denimin e K Azbiut eshte tragjike

      Përgjigjjuni
      1. D
        Demokrat Laprake

        As e kam votuar Lali Erin, por kam pare qe me 10 vite ka lene gjurme ne shkolla, kopshte, sheshi e piramida e pazari. Ndaj e ka fituar respektin e nje demokrati si une. Dhe te pakten ne dallim nga Kadri Hazbiu, qe sdi te kete lene ndonje pune ne Tirane, nuk tha te rroje partia, por po e con ne kushtetuse. Kurse partia, jam dakord, po ajo ka mbetur. Me respekt, demokrati nga Lapraka

        Përgjigjjuni
        1. ?
          ???????? USA

          Po pse aty ne Ameriken tende si behet o Marko? Apo mendon se njerezit ne shqiperi nuk i ndjekin nga larg lajmet ne Amerike dhe ndihen me fat qe nuk jetojne ne nje vende qe presidenti i fuqise me te madhe ne bot eshte i rrjedhur nga trute e kokes dhe ju thote njerezve mos merrni paracitamol. Ne Amerike i rrine si mut dhe i lepijne bythen Trump kur ai heq nga puna njerez , vendos tarifa vendeve mike, burgos njerez pa letra apo edhe me keq shan e kercenon me burg mediat. Edhe sa per Kadriun meqe ra fjala , Enveri as nuk u fsheh si skuth , as nuk i beri prite, as nuk e preu ne bes dhe as nuk e denoi me Nesti Andoni sic kane bere keta shkerdhatat e 35 viteve. Nuk te vriste naten e te qante diten si kta sot.

          Përgjigjjuni
          1. L
            Liku - Kush me shan per debat nuk ia mban !

            I nderuar autor i artikullit , meqe po ben analogji me rastin e Kadri Hazbiut dhe Erion Veliajt , pse nuk shprehesh hapur kush eshte Enver Hoxha ne rastin e Erion Veliaj ? Apo edhe ju ha edhe ju djeg ? Ju vjen keq per Erion Veliaj por prapa kraheve nuk mund te dilni kunder Enver Hoxhes ?

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje