Shqipëria dhe Bashkimi Evropian mbyllin tre grupkapitujt e parë në negociatat për integrimin, në Konferencën e Nëntë Ndërqeveritare, sot në Bruksel.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, thotë se ky është një çast vendimtar për Shqipërinë, e cila ka plotësuar reformat dhe ecën e sigurt drejt anëtarësimit.
Këtë zhvillim e komentoi edhe zëvendësministri i Brendshëm, Xhemal Qefalia, i cili e cilësoi mbylljen e tre grupkapitujve si një lajm shumë të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët e saj.
Qefalia tha se kjo ecuri është e bazuar te reformat dhe puna konkrete që ka realizuar qeveria shqiptare dhe institucionet e vendit, të cilat janë angazhuar thellësisht për përmbushjen e detyrave të caktuara nga BE.
“Ky është një superlajm, për të cilin duhet të gëzohen të gjithë shqiptarët. Do të mbyllen tre kapituj. Ky është një tregues se Shqipëria po dëshmon se është realisht e gatshme për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Në vitin 2025 u hapën të gjithë grupkapitujt dhe ja ku jemi sot për të konkretizuar hapjen e kapitujve, me shpresën që brenda vitit 2027 të mbyllen të gjithë grupkapitujt, ashtu siç është premtuar nga kryeministri Edi Rama, i cili kryeson delegacionin shqiptar në Bruksel. Ky është një lajm i gëzueshëm për të gjithë qytetarët shqiptarë”, tha Qefalia.
Duke folur për sulmet ndaj bizneseve dhe sipërmarrjeve, ai tha se nëse një gjë e tillë do të provohej se sulmi është i koordinuara, do të ishte shqetësuese për imazhin e vendit dhe sektorin e turizmit.
Sipas tij, u takon organeve shtetërore që të përcaktojnë nëse ka pasur sulme të organizuara dhe të koordinuara. Ai shtoi se protesta nisi fillimisht si një shqetësim për mbrojtjen e mjedisit në Zvërnec, por sipas tij, në të janë përfshirë edhe elementë që synojnë përfitime politike.
“E drejta e protestës dhe liria e fjalës janë të garantuara në një shtet demokratik. Është më se normale që në një vend demokratik të ketë protesta dhe të ketë mospajtime. Protestat kanë nisur prej më shumë se 40 ditësh, por ato nuk ndikojnë aspak në rrugën që po ndjek Shqipëria drejt Bashkimit Evropian. Nëse do të rezultojë se ka pasur një sulm të organizuar nga persona që kanë abuzuar për të ulur imazhin e një resorti apo të një sipërmarrjeje, kjo është shqetësuese, pasi ndikon edhe te turizmi.
Shqipëria tashmë është një vend atraktiv dhe të huajt vijnë për të pushuar. Ata informohen edhe përmes vlerësimeve (reviews), por kjo mbetet për t’u hetuar në mënyrë të plotë”, theksoi ai.
"Ka vende që ia duan të mirën Shqipërisë, por ka edhe vende të tjera, të cilave nuk u intereson zhvillimi i saj. Ekziston edhe një garë me vendet e rajonit për të tërhequr sa më shumë turistë. Aeroporti i Rinasit është shndërruar në një qendër të rëndësishme, duke lënë pas edhe aeroportet e vendeve të rajonit. Janë organet shtetërore ato që do të përcaktojnë nëse ka pasur sulme të organizuara dhe të koordinuara. Protesta nisi si një pakënaqësi për mbrojtjen e mjedisit në Zvërnec. Në protestë ka elementë që duan të përfitojnë politikisht”, tha zv.ministri i Brendshëm.
Lini një Përgjigje