Në ditën e dytë të mbledhjes së Komitetit të Stabilizim-Asociimit (KPSA) u diskutua tema e ekonomisë dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, vuri theksin në disa pika kyçe për zhvillimin e vendit dhe nevojën për reforma të thella ekonomike.
Tabaku theksoi nevojën për modernizimin e modelit ekonomik të Shqipërisë, duke evidentuar se ekonomia aktualisht mbështetet kryesisht në ndërtimin, një sektor i ngarkuar nga korrupsioni dhe krimi, si dhe në bujqësinë që është në rënie të vazhdueshme.
Sipas saj, “ Modeli duhet ndryshuar. Duhet t'u japim përparësi sektorëve si teknologjia, bujqësia dhe industria. Këta sektorë të nënvlerësuar mund të krijojnë një bazë të fuqishme për rritjen ekonomike dhe për zhvillimin e kapitalit human në vend .”
Një tjetër pikë kyçe që Tabaku ngriti ishte ekonomia informale dhe shpërndarja e padrejtë e kontratave publike. Ajo vuri në dukje se mbi 800 mijë transaksione të dyshimta të parave të pista po ndikojnë negativisht në qasjen e bizneseve të reja që dëshirojnë të investojnë në Shqipëri.
“Kapja ekonomike e vendit është një nga pengesat kryesore që duhet luftuar me të gjitha mjetet e mundshme”, deklaroi Tabaku, duke shprehur shqetësimin për koncesionet dhe PPP-të e qeverisë aktuale që po e zhysin ekonominë në varësi të interesave të një pakice të korruptuar.
Tabaku gjithashtu kritikoi mungesën e hapjes ekonomike të Shqipërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, duke e cilësuar si një dështim të papranueshëm që kërkon ndërhyrje urgjente.
Ajo bëri thirrje për luftë ndaj status quo-së, për të mbrojtur dhe fuqizuar shtresën e mesme, për të shpërndarë të ardhurat në mënyrë të drejtë dhe për të krijuar mundësi për të rinjtë që po largohen nga vendi.
Deputetja përfundoi duke theksuar se çdo reformë ekonomike dhe institucionale duhet të jetë në shërbim të qytetarëve dhe jo të interesave të ngushta të individëve të lidhur me pushtetin. Tabaku bëri thirrje për një angazhim të gjithanshëm në përmirësimin e jetës ekonomike të shqiptarëve dhe për ndalimin e margjinalizimit të mëtejshëm të Shqipërisë në zhvillimet rajonale.
Kjo eshte komplet debile.