Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, zhvilloi vizitën e tij të parë zyrtare bilaterale në Mal të Zi, ku u prit nga Drejtoresha e Përgjithshme e Doganave të Malit të Zi, Maja Vuçiniç.
Takimi, i zhvilluar në Podgoricë, konfirmoi marrëdhëniet e mira të bashkëpunimit ndërmjet dy administratave doganore dhe vullnetin për ta thelluar më tej atë në funksion të integrimit evropian.
Gjatë takimit u diskutua mbi rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe lehtësimin e procedurave doganore për biznesin, si dhe mbi forcimin e bashkëpunimit në kuadër të nismave rajonale, përfshirë CEFTA dhe projektet për shkëmbimin elektronik të të dhënave.
“Bashkëpunimi mes administratave tona doganore është kyç për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian dhe për lehtësimin e tregtisë, duke garantuar njëkohësisht sigurinë dhe luftën ndaj kontrabandës”, tha Beja.
Palët vlerësuan pozitivisht bashkëpunimin ekzistues, duke nënvizuar nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të tij përmes rritjes së operacioneve të përbashkëta, shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe zhvillimit të kapaciteteve.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe në avancimin e përpjekjeve të përbashkëta drejt integrimit evropian.
Vini foto reale. Jo foto nga Tirana me flamur britanik!!!