Tirana përballë Palestinës - Nga njohja e 1988-ës, te qëndrimi i 2025-ës

3 Gusht 2025, 19:32Politika TEMA
Tirana përballë Palestinës - Nga njohja e 1988-ës, te

Në treditëshin e fundit të muajit korrik, një konferencë e rëndësishme në New York, e bashkë-organizuar nga Franca dhe Arabia Saudite, u përpoq të ringjallte angazhimin ndërkombëtar për zgjidhjen me dy shtete dhe njohjen e shtetësisë palestineze.

Gjatë këtij takimi u miratua edhe “Deklarata e New York-ut”, nënshkruar nga 17 vende, Bashkimi Evropian dhe Liga Arabe, që përfshinte një plan me faza drejt përfundimit të konfliktit izraelito-palestinez.

Deklarata bashkonte planet e mëparshme arabe dhe evropiane të pasluftës për Gazën. Ajo propozon: “Pas armëpushimit, duhet të krijohet menjëherë një komitet administrativ kalimtar për të vepruar në Gaza nën ombrellën e Autoritetit Palestinez”.

Ajo mbështet gjithashtu vendosjen e një misioni të përkohshëm ndërkombëtar stabilizimi, të mandatuar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, dhe mirëpret “gatishmërinë e shprehur nga disa shtete anëtare për të kontribuar me trupa”.

“Vendimi i Francës për të njohur një shtet palestinez në shtator, nxitet nga vlerësimi i saj se arritja e një zgjidhjeje me dy shtete ‘është në rrezik vdekjeprurës’. Ndërsa lufta në Gaza i afrohet dyvjeçarit të saj dhe kolonizimi izraelit i Bregut Perëndimor po përshpejtohet i mbështetur nga kolonët e dhunshëm, mundësia e një shteti palestinez duket gjithnjë e më e paarritshme”, analizon Léonie Allardis, një bashkëpunëtore në Qendrën Evropiane të Këshillit Atlantik.

Por Tirana zyrtare, ndër vendet që e njohën Palestinën që në vitin 1988, nuk bëri asnjë deklaratë zyrtare dhe nuk mori pjesë aktive në këtë proces. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme nuk komentoi, pavarësisht kërkesave të Albanian Post për qëndrim zyrtar.

Reagimet
Në prill të këtij viti, Kryeministri Edi Rama kishte deklaruar qartë se “Shqipëria mbështet fuqimisht zgjidhjen me dy shtete” dhe kishte dënuar hapur Hamasin.

“Hamasi nuk është lëvizje rezistence. Hamasi janë nazistët e shekullit të ri. Historia na ka mësuar se me nazistët nuk ka paqe, me nazistët nuk ka kompromis”, theksonte kreu i Qeverisë ndërsa pranonte Medaljen Presidenciale të Nderit.

Megjithatë, ky qëndrim i qartë verbal nuk u pasua me veprime konkrete gjatë konferencës së fundit në New York, ku vende si Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja premtuan njohje të shtetësisë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së që pritet në shtator.

Në këtë kontekst, heshtja e Shqipërisë duket gjithnjë e më shumë si një “heshtje e zhurmshme”, që nxjerr në pah një pozicion diplomatik të qartë por të paralizuar.

Më 25 tetor të vitit 2023 ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, merrte pjesë në një diskutim të Këshillit të Sigurimit të OKB‑së për situatën në Lindjen e Mesme.

Ai denoncoi asokohe sulmet ndaj Izraelit, ritheksoi nevojën për ndihmë humanitare për Gazën dhe mbështetjen për një Palestinë demokratike dhe një Izrael të sigurt.

“Çështja e Palestinës nuk duhet të vazhdojë të mbetet një punë e papërfunduar. Shqipëria rithekson mbështetjen e saj për të dyja kombet, për të dyja shtetet. Ne qëndrojmë për një Palestinë demokratike e të qëndrueshme dhe një Izrael të sigurt. Shqipëria mbështet projekt-rezolutën e SHBA‑ve…”, theksonte kryediplomati shqiptar.

Boshti SHBA-Izrael
Nëse i referohemi deklaratave të bëra duket si një qëndrim i vetëdijshëm, i përafruar me boshtin SHBA-Izrael.

Ambasadori izraelit në OKB, Danny Danon, e kritikoi konferencën, duke e cilësuar si një “realitet alternativ ku udhëheqësit flasin për një shtet palestinez ndërsa pengjet ende mbahen në Gaza”.

Edhe Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi nismën si “të papërshtatshme dhe joproduktive”.

Në dallim, vende evropiane si Sllovenia ndërmorën hapa konkretë – ndaluan eksportin dhe tranzitin e armëve drejt Izraelit, duke përmendur krizën humanitare në Gaza.

Patrick Wintour nga The Guardian mendon se: “Ka shenja në rritje në Bruksel dhe Berlin se durimi me metodat e Netanyahu-t ka mbaruar, edhe nëse ata nuk mund të bien dakord për një formë ndëshkimi”.

Mbretëria e Bashkuar gjithashtu është përpjekur të krijojë një bllok të qëndrueshëm ndërkombëtar që mund t’i japë formë një marrëveshjeje të re paqeje, përmes presionit të koordinuar ndërkombëtar.

“Duke u bashkuar me fuqitë globale dhe arabe, Mbretëria e Bashkuar ndërton një platformë që i krijon hapësirë SHBA-ve për të negociuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, shkruan Jon Wilks nga Këshilli Atlantik.

Teksa edhe Shqipëria, në rrafshin opinional, ka pasur polarizimet e veta në kohë.

Gazetari Ben Blushi, ka qenë ndër zërat pro Izraelit dhe i mendimin se Gaza do të pushtohet.

Por, përtej kësaj, ai mendon se masa ekstreme po përdoren për një ideologji sioniste dhe paqja nuk është e kërkuar prej Izraelit.

“Solistët nuk e duan paqen Izrael-Palestinë, ata duan pastrim total të Gazës ashtu siç po ndodh, ata shfrytëzuan bombën e Hamasit për ta pastruar Gazën. Në qoftë se Gaza pastrohet, ai territor do të pushtohet dhe do të kthehet në tokë hebrenje. Ky është sot, debat i madh botëror”, ka përmendur Blushi në intervista dhe shkrime.

Analisti Fatos Lubonja, në raport me qëndrimin e Qeverisë shqiptare në kohë, e ka quajtur kryesisht si një linjë e mbështetjes së “të fortit”, duke iu referuar boshtit SHBA-Izrael.

Teksa gazetarja Gerta Zaimi, ka qenë në kohë një figurë e zëshme lidhur me kauzën e palestinezëve dhe të drejtën e tyre për krijimin e shtetit palestinez dhe kritikuese për heshtjen ndërkombëtare lidhur me situatën në Gaza.

Megjithatë, reagimet mbi zhvillimet e vonshme, mbeten të vakëta sa i takon çështjes.

Duke parë këto lëvizje gjeopolitike të fundit, duhet shtruar ndoshta pyetja rreth kësaj “apatie” gozhduese që diplomacia shqiptare (me ose pa qëllim), ka vendosur të ndjekë rreth shtetësisë palestineze, si dikur.

Apo, drejt një qëndrimi aktual strategjik, që e vendos atë krah Izraelit dhe SHBA-ve për secilin hap diplomatik, dhe për një rast të rrallë, disi më larg Evropës. Albanianpost

5 Komente

  1. V
    Vëllazëria për të vërtetën

    Ne, si shtet i vogël dhe i parëndësishëm që jemi, nuk kemi pse të marrim pjesë në këtë debat. Le të merren shtetet e mëdha po të duan. Ne e kemi njohur shtetin palestinez që në vitin 1988 dhe kaq mjafton.

    Përgjigjjuni
    1. S
      Sqepari

      Ti Palestine s'me njeh mua, Kosoven! Me Serbine e ke grure. Pse une duhet te te njoh? Shporru....

      Përgjigjjuni
      1. D
        Dr. Gjilpera

        o kariiiiiiii hahahhahahahahaha sa gjynah qe je laliiiiii e ke iden statusin e Palestines ne OKB o pall kari? Pse do me fol me burr ku je kar ?

        Përgjigjjuni
      2. R
        Realisti

        Shqipëria nuk e ka luksin të jetë në pararojë të këtij debati. Ka shumë shtete të tjera evropiane që thjesht heshtin dhe shikojnë se ç'po ndodh. Palestina është njohur si shtet nga ne dikur kur vendi ishte nën pallën e PPSHsë. Politika jonë e jashtme ka ndryshuar 180 gradë që atëherë duke shtuar edhe që Hamasi komplikon gjithçka në terren. Ky është halli I vetë palestinezëve dhe këtë duhet në radhë të parë ta zgjidhin vetë. Kosova dikur nuk kishte në krye terroristë që goditën Serbinë. Dhe paralelja që ngrenë palestinezët për Kosovën është e turpshme.

        Përgjigjjuni
        1. a
          astrit

          Izraeli po ben genocid mbi popullsine palestineze. Te mos reagosh per cfardo arsye kunder genocidit tregon se cinizmi jot nuk njeh kufi. E turpeshme!

          Përgjigjjuni

          Lini një Përgjigje