VIDEO/ Analiza e Mërtirit: Opozita si teatër absurd dhe si Berisha po mban në këmbë Ramën e qeverinë e tij të korruptuar

19 Dhjetor 2025, 15:03Politika TEMA
VIDEO/ Analiza e Mërtirit: Opozita si teatër absurd dhe si Berisha po

Nuk është fjala vetëm për regjistrin e një shfaqjeje të turpshme të opozitës në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, që lideri i opozitës e transmeton live për publikun përmes celularit të tij, por për regjinë e një skenari tragjikomik të një opozite, fundi i së cilës fshihet nëpër mjegullën e turpit. Kështu e përshkruan Ergys Mërtiri opozitën e seancës parlamentare, ku u panë deputetë të shndërruar në aktorë të një kaosi grotesk, duke u kacavjerrë mbi karrige, tavolina dhe podiume, si në një teatër absurd e pa dinjitet.
Në të njëjtën skenë, po aq e turpshme dhe cinike, shfaqej edhe produkti i marrëveshjeve të pista të opozitës: Avokati i Popullit, Endri Shabani, përmes “puthjes” së tij simbolike të dedikuar opozitës që i dha 35 firmat e kandidimit për ta çuar në krye të këtij institucioni.

Mërtiri e nis analizën duke vënë në dyshim integritetin e 35 deputetëve që i dhanë firmën Shabanit dhe qëndrimin qesharak për ta tërhequr më pas mbështetjen. Analisti e sheh qartazi këtë si një skenar që flet për marrëveshje të fshehta Rama–Berisha. I gjithë aksioni i opozitës, sipas tij, shfaqet si një patericë e dukshme për të mbajtur në këmbë një qeveri të mbuluar nga korrupsioni, së cilës ditë pas dite i trokasin pas porte hekurat e SPAK-ut.

Sipas Mërtirit, është pikërisht kjo opozitë, që ka uzurpuar zërin e qytetarëve, ajo që e mban ende në këmbë një qeveri të kalbur nga korrupsioni. Ai flet për sjelljen anormale të liderit të opozitës dhe hallin e madh që e detyron atë të shfaqet gjithnjë e më qesharak, një sjellje që po i kushton rëndë Partisë Demokratike, por jo vetëm asaj: po i kushton shoqërisë shqiptare dhe të ardhmes së vendit, të marrë peng nga kjo marrëveshje që është tashmë e dukshme mes liderit të opozitës të komprometuar dhe kryeministrit të korruptuar.

Ndiqni analizën e Ergys Mërtirit për seancën e së enjtes dhe shfaqjen e opozitës, për zgjedhjen e Avokatit të Popullit, si edhe për shkëndijat e njëfarë shprese që po vijnë nga lëvizja e Salianjit, e cila po tenton të depërtojë në PD-në e Sali Berishës.