I ftuar në Euronews Albania, deputeti i PS-së Blendi Klosi shprehet se protesta ka marrë tashmë një drejtim të qartë politik, duke shtuar se kjo do ta bëjë më të lehtë dialogun me përfaqësuesit e saj.
Sipas deputetit socialist, protesta po identifikon drejtuesit dhe kërkesat e saj, duke u shndërruar në një debat politik.
“Me sa duket protesta po merr qëndrim të pastër politik dhe kjo do të lehtësojë dialogun me politikën e përfaqësuar nga protestuesit. Pra, më në fund do të shfaqen kush drejton, kush do paraqitet në emër të tyre, do fillojnë të kenë kërkesat e tyre tashmë të formuluara pak a shumë. Gjëja do të shkojë drejt debatit politik dhe drejt zgjedhjeve ku mbase do të ketë kandidatë përfaqësues të këtyre grupimeve dhe do të garojnë”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjet vendore, Klosi deklaroi se Partia Socialiste ka nisur prej muajsh përgatitjet për garën elektorale. Ai tha se PS synon të garojë e përgatitur dhe se zgjedhjet do të tregojnë se sa mbështetje reale kanë grupimet që aktualisht protestojnë.
“Partia Socialiste është lehtësisht më e përgatitur për të garuar në të 61 bashkitë. Ne kemi filluar punën, edhe kjo punë ka filluar prej disa muajsh tashmë, për përgatitjen e gjithë strukturës sonë dhe ambientit për t’i fituar të gjitha bashkitë e vendit, në rast se do të jenë 61 mbas kësaj çfarë po diskutohet në komisionin për reformën territoriale. Kurse për sa i përket atyre që do të na dalin përballë, asnjëherë s’e kemi pasur problem se kë kemi përballë. Gjithmonë ka qenë raporti me qytetarët. A jemi ne ata që qytetarët kanë votuar para tre vjetësh në pushtetin lokal? A jemi ne ata që kanë votuar para një viti në pushtetin qendror? Si jemi përgjigjur karshi kërkesave të tyre? Si kemi reaguar, çfarë qytetarët kanë kërkuar? Gara do të jetë për pak muaj dhe ajo garë do të dëshmojë se dhe ata që janë në protestë kanë apo jo mbështetje popullore, se është një gjë të bësh protestë, edhe protestat në botë ndodhin edhe me një njeri”, tha Klosi.
Në përfundim, deputeti tha se protesta është kanalizuar tashmë te kërkesat politike dhe jo më vetëm te çështja e investimit në Zvërnec. Ai thekson se kërkesa për largimin e Edi Ramës dhe të Partisë Socialiste nga pushteti përfaqëson vetëm një pjesë të qytetarëve.
“Është shumë mirë që tani gjëja është kanalizuar te politika. Pra, se në fillim pati një si ndjesi që njerëzit demonstronin apo protestonin për investimin në Zvërnec. Mbase investimi në Zvërnec shërbeu që të kishte një lloj diskutimi pak më të gjerë sesa diskutimi politik. Tani ata kanë dalë një grup qytetarësh që kërkojnë dorëheqjen e qeverisë dhe kjo nuk është asgjë e re në demokraci. Në çdo vend të botës, në vende demokratike, ditën e parë që ti humbet pushtetin, të nesërmen ka një grup që humb dhe kërkon rimarrjen e pushtetit.
Pra, kërkesa për të mos qenë Edi Rama kryeministër dhe Partia Socialiste në pushtet është kërkesë mbase një pjese të qytetarëve të cilët nuk na kanë votuar”, tha Blendi Klosi.
O gerxho, je tejet i konsumuar, jeni per tu hedhur prej kohesh ne koshin e plehrave, juve dhe te ”rinjte” zeqirneja, nido milo, etj, qe funksionojne si kone te verbra, ne godinen krejt te rrenusr te ps.