“Zgjedhorja” dështoi në Komision, PS dhe PD fajësojnë njëra-tjetrën për mos arritjen e dakortësisë

22 Mars 2024, 17:29Politika TEMA
“Zgjedhorja” dështoi në Komision, PS dhe PD

Damian Gjiknurit dhe Enkelejd Alibeajt nuk do t’i duhet më të bashkëndajnë tryezën e komisionit për reformën zgjedhore pasi ajo u mbyll ashtu siç ishte parashkruar, zero produkt politik.

Propozimet e socialistëve dhe demokratëve të Lulzim Bashës nuk u përputhën. Secili qëndroi në llogoren e tij duke mos i dhënë zgjidhje ligjore rekomandimeve të OSBE-ODIHR dhe dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për votën e diasporës dhe herësin.

Pasi dy bashkëkryetarët t’i bëjnë me dije kuvendit arsyet e dështimit, fati i “zgjedhores” pritet të përcaktohet në grupin e posaçëm që do të ngrihet brenda komisionit të ligjeve.

Ende pa u vendosur deputetët që do të udhëheqin diskutimet për ndryshime në kodin zgjedhor, PS dhe “Rithemelimi” do të kenë përfaqësi të barabartë. Synimi i deklaruar është që ndryshimet në ligjin elektoral të bëhen me mirëkuptim.

Pjesë e mirëkuptimit mes PS-së dhe PD-së së Sali Berishës nuk do të jetë ajo e Lulzim Bashës.

Thuajse një vit nga parlamentaret e 2025-ës, mbetet për tu parë nëse PS dhe Rithemelimi do të merren vesh për herësin, depolitizimin e administratës zgjedhore apo për mënyrën e regjistrimit, votimit dhe llogaritjes së votës së diasporës.

Lini një Përgjigje