Aleatët e harruar të Amerikës në Ballkan

5 Gusht 2022, 21:00Rajoni TEMA

Aleatët e harruar të Amerikës në Ballkan

Nga Harun Karçiç*

Sulmi në shkallë të gjerë i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë në plan të parë ndarje të thella midis zërave pro-perëndimorë dhe pro-rusë edhe në një pjesë tjetër të Evropës – në Ballkanin Perëndimor.

Imazhet e mizorive të forcave të Vladimir Putinit që vijnë nga Ukraina kanë ringjallur kujtimet e tmerreve të përjetuara nga Bosnja dhe Kosova në vitet 1990 nga Serbia e Slobodan Millosheviçit.

Perspektiva e shtimit të kërcënimeve të ngjashme të konfliktit të dhunshëm, të nxitura në një masë të konsiderueshme nga Putini, në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në Bosnje dhe Kosovë, ka ripërtërirë vëmendjen ndaj idesë së NATO-s për të rritur rolin e saj aty. Aleanca ka pasur një “operacion për mbështetjen e paqes” në Kosovë që nga viti 1999, por ia dorëzoi atë përgjegjësi në Bosnje një force të Bashkimit Evropian në vitin 2004 duke mbajtur njëfarë pranie për të mbështetur aspiratat e Bosnjës për anëtarësim. Një sondazh i fundit tregon se mbështetja për pranimin në NATO mbetet e fortë në të dy vendet, me përjashtim të qarqeve serbe të ndezura nga dezinformatat.

Duke marrë parasysh rritjen e tensioneve në rajon – siç u pa këtë javë nga protestat në Bosnje mbi një lëvizje të planifikuar nga Përfaqësuesi i Lartë i emëruar ndërkombëtarisht për të imponuar ndryshime në ligjin zgjedhor, NATO-ja duhet ta shfrytëzojë këtë interes dhe vrullin që aleanca ka fituar nga unifikimi i saj duke mbështetur Ukrainën që të rishikojë objektivat e veta më seriozisht në Bosnje dhe Kosovë. Ajo mund ta bëjë këtë ose duke forcuar praninë e trupave të saj, ose duke përshpejtuar hyrjen e Bosnje-Hercegovinës dhe Kosovës në NATO. Shtetet e Bashkuara janë anëtari më i fuqishëm i NATO-s dhe duke pasur parasysh historinë e saj me Bosnjën dhe Kosovën, roli i saj do të jetë kyç.

NATO përgjithësisht shihet në mënyrë të favorshme në shumë prej vendeve anëtare të rajonit, të cilat tani përfshijnë Slloveninë, Kroacinë, Malin e Zi dhe së fundmi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Në mesin e vendeve joanëtare të NATO-s, mbështetja për anëtarësimin e plotë në aleancë është rritur në Bosnje dhe mbetet e lartë në Kosovë, sipas rezultateve të një sondazhi mbarë-rajonal të kryer nga Instituti Republikan Ndërkombëtar (IRI) gjatë gjatë kohës kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë në shkurt. Bosnja dhe veçanërisht Kosova mbeten dukshëm pro-amerikane dhe pro-perëndimore. Në Bosnje, anëtarësimi në NATO mbështetet nga 69 përqind e boshnjakëve dhe 77 përqind e kroatëve, por vetëm 8 përqind e serbëve, duke vendosur mbështetjen e përgjithshme në 51 përqind. Në Kosovë, mbështetja për NATO-n është edhe më e lartë: 82 përqind e shqiptarëve favorizojnë anëtarësimin e plotë në NATO kundrejt 7 përqind të serbëve.

Pikëpamjet e SHBA-së, Biden

Në Bosnje dhe Kosovë, pikëpamjet shumë ose disi të favorshme për Gjermaninë (77 përqind dhe 89 përqind, respektivisht), Turqinë (71 përqind dhe 83 përqind) dhe Shtetet e Bashkuara (64 përqind dhe 88 përqind) tejkalojnë pikëpamjet e favorshme për Rusinë (49 përqind) dhe 12 përqind) ose Kina 52 përqind dhe 15 përqind). Në Serbi, nga ana tjetër, 91 për qind kanë pikëpamje shumë ose disi të favorshme për Rusinë, dhe 84 për qind mendojnë kështu për Kinën, ndërsa vetëm 30 për qind kanë pikëpamje të favorshme për Shtetet e Bashkuara.

Pikëpamjet për Shtetet e Bashkuara janë shumë pozitive veçanërisht në mesin e popullatës muslimane në rajon. Ndarja etnike në sondazhin e IRI zbulon se boshnjakët (muslimanët boshnjakë) dhe shqiptarët e Kosovës (të cilët janë muslimanë) janë aleatët më besnikë të Amerikës në rajon, ku 80 përqind të boshnjakëve në Bosnje kanë një opinion të favorshëm për Shtetet e Bashkuara, krahasuar me vetëm 36 për qind e serbëve dhe 59 për qind e kroatëve. Në kontrast, 89 përqind e serbëve të Bosnjës kishin një opinion të favorshëm për Rusinë. Në Kosovë, 94 për qind e shqiptarëve të Kosovës kishin një pikëpamje të favorshme për Shtetet e Bashkuara.

Kur bëhet fjalë për perceptimet e kërcënimeve të huaja, në Bosnje, 60 për qind e boshnjakëve e konsiderojnë Rusinë “kërcënimin apo kërcënimin politik” të tyre më të madh, siç e shpreh anketa, ndërsa 45 për qind e serbëve i vendosin Shtetet e Bashkuara në atë kategori. Në mënyrë të ngjashme në Kosovë, 69 për qind e konsiderojnë Rusinë si kërcënimin më të madh, ndërsa 54 për qind thonë të njëjtën gjë për Kinën, ndërsa vetëm 20 për qind e thonë atë për Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Joe Biden mbetet një figurë popullore pasi ende mbahet mend me dashuri nga shumë njerëz në Bosnje dhe Kosovë për fjalimet e tij të zjarrta në mbështetje të dy vendeve, ndërsa ata përballeshin me sulmet politike dhe ushtarake serbe në vitet 1990, kur ai ishte senator amerikan. Vlerësimi i përgjithshëm i favorizimit të tij në Bosnje qëndron në 48 përqind, duke përfshirë 69 përqind të boshnjakëve, megjithëse vetëm 15 përqind e serbëve të Bosnjës. Në kontrast, 83 përqind e serbëve të Bosnjës kishin një opinion të favorshëm për Putinin.

Duke pasur parasysh se Bosnja është e ndarë, sipas Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit të vitit 1995, që i dha fund luftës, në dy “entitete” politike shumë autonome, siç quhen ato, gjetjet paraqesin një ndarje të ashpër, pothuajse të ngjashme me Luftën e Ftohtë brenda vendit të vogël ballkanik. Njëri prej entiteteve është i populluar pothuajse ekskluzivisht nga serbët ortodoksë dhe tjetri kryesisht nga boshnjakët muslimanë dhe një pakicë katolike kroate.

Mund të jetë befasi që, pavarësisht imazhit jo të mirë të Amerikës në të gjithë Lindjen e Mesme, shumica dërrmuese e muslimanëve në Ballkanin Perëndimor – boshnjakë në Bosnje dhe shqiptarë në Kosovë (si dhe në Maqedoninë e Veriut, për këtë çështje) – janë fort pro- amerikane në orientimin e tyre. Sondazhi i IRI tregoi se, në Bosnje, 42 përqind në përgjithësi dhe 58 përqind e boshnjakëve favorizojnë një politikë pro-Bashkimit Evropian dhe pro-perëndimore. Në Kosovë, 84 për qind e shqiptarëve favorizojnë një kurs të tillë perëndimor.

Lidhjet e qëndrueshme me SHBA

Duke gërmuar më thellë, kjo ka kuptim. Që prej krijimit të saj në 1949, NATO-ja ka ndërhyrë vetëm dy herë për të mbrojtur një popullsi muslimane të rrezikuar nga jomuslimanët: në Bosnje në 1994 dhe 1995  për të mbrojtur boshnjakët nga gjenocidii serb dhe në Kosovë në 1999 për të mbrojtur shqiptarët nga sulmi i trupave dhe forcave paramilitare serbe. Ndërkohë që vendet muslimane u siguruan armë homologëve të tyre në atë kohë dhe disa luftëtarë shkuan në Bosnje – duke nxitur dezinformimin serb edhe sot e asaj dite, edhe pse boshnjakët vazhdimisht u pushkatuan nga makineria e luftës serbe – asnjë vend me shumicë myslimane nuk ishte kurrë i gatshëm të dërgonte avionë në mbrojtje të muslimanëve të rrethuar të Ballkanit, madje as më të afërmit, Turqia.

E megjithatë, Shtetet e Bashkuara e bënë. Dhe pas luftërave në të dyja vendet, mijëra trupa amerikane dhe aleate u vendosën atje për vite me radhë për të ruajtur paqen. Ata janë ende në Kosovë dhe NATO-ja ka një bazë ushtarake në Bosnje për të mbështetur reformat e nevojshme për anëtarësimin e mundshëm në aleancë dhe për të mbështetur forcën e BE-së. Këto partneritete kanë mbështetur prej kohësh bashkëpunimin e ngushtë ushtarak dhe politik. Dhe siç tregojnë rezultatet e IRI-së, marrëdhëniet kanë çuar në perceptimin afatgjatë të shumë muslimanëve dhe kroatëve në Ballkanin Perëndimor se anëtarësimi në ombrellën e sigurisë së NATO-s është mënyra më e qëndrueshme për të mbrojtur kufijtë e njohur ndërkombëtarisht të Bosnjës dhe Kosovës kundër aspiratave irredentiste të Serbisë, aleatit numër në të Moskës në rajon.

Kjo është veçanërisht e vërtetë në rastin në Bosnje, ku tensionet janë përshkallëzuar vitet e fundit pasi serbët e mbështetur nga Rusia dhe aleatët e tyre në Serbinë fqinje nxisin që entiteti me shumicë serbe, Republika Srpska, të shkëputet. Është e rëndësishme të theksohet lidhja e nacionalizmit të krahut të djathtë në Serbi dhe ai serbëve e Bosnjës, të cilët kanë një qëndrim pro-rus: një studim i fundit nga Pew Research zbuloi se evropianët që mbështesin partitë populiste të krahut të djathtë në vendet e tyre kanë më shumë gjasa të shprehin besim tek Putini dhe marrëdhëniet e tij në çështjet botërore. Modele të ngjashme janë vërejtur në mesin e mbështetësve të partive populiste të krahut të djathtë në Gjermani (Alternativa për Gjermaninë), Mbretërinë e Bashkuar (Reforma në Mbretërinë e Bashkuar), Francë (Partia e Tubimi Kombëtar) dhe Suedi (Partia Demokratët e Suedisë), si në mbështetësit e liderit separatist serb të Bosnjës. Milorad Dodik apo fqinji i tij, presidenti serb Aleksandar Vuçiç.

Por atëherë  si u zhvillua kjo situatë e rrezikshme në Ballkanin Perëndimor, duke pasur parasysh mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian? Vlen të kujtohet se, duke filluar nga viti 2004, Shtetet e Bashkuara filluan të shkëputen nga rajoni me besimin se Bashkimi Evropian mund ta menaxhonte situatën. Uashingtoni po ripërqendrohej në Irak dhe Afganistan dhe udhëheqësit e tij shpresonin në heshtje se pranimi në BE do të siguronte përfundimisht paqen dhe prosperitet në rajon. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, shumë analistë dhe intelektualë në Ballkanin Perëndimor kanë arritur në përfundimin se qasja e BE-së ndaj rajonit ishte e padrejtë, pasi liderë të tillë si Emmanuel Macron i Francës ndërmorën veprime për të penguar zgjerimin e mëtejshëm të BE-së.

Rënia e besimit në institucionet demokratike

Pasojat e politikës së BE-së ndaj nacionalistëve dhe gatishmëria e saj për të bërë marrëveshje me ta në kurriz të shumicës së zyrtarëve të zgjedhur dhe interesave të qytetarëve, deri në qejfbërie, çoi përfundimisht në rënien e besimit në institucionet demokratike, zhgënjim të thellë në sistemin politik dhe në një zhgënjim të përgjithshëm mosinteresimi për reforma të mëtejshme. Rrjetet e korrupsionit dhe patronazhit që përfshinin figura politike të rrënjosura mirë, penguan reformat kuptimplota dhe në fund çuan në dobësim të demokracisë. Sot, shumë qytetarë në rajon nuk e shohin më anëtarësimin në BE si një perspektivë realiste, megjithëse siç tregoi sondazhi i IRI-së, interesi mbetet i lartë – 76 për qind në Bosnje dhe 85 për qind në Kosovë. Retorika e përtërirë luftarake dhe revizionizmi historik po përdorën prapë me shkathtësi nga liderët pro-rusë si Dodik dhe Vuçiçi. si dhe ministri i Brendshëm i Vuçiçit Aleksandar Vulin, për të mbrojtur ndarjen, për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe për të krijuar një Serbi të Madhe aftificiale.

Shtetet e Bashkuara kanë mësuar me dhimbje herë pas here se, kur largohen nga një rajon i caktuar, të tjerët e mbushin shpejt vakumin dhe luajnë sipas rregullave të tyre. Kostoja e rihyrjes në rastin e një lufte të ripërtërirë është, si rregull, gjithmonë astronomikisht më e lartë, ndërsa çmimi i vakumit të mbetur ndërkohë do të paguhet domosdoshmërisht në rast të zvogëlimit të ndikimit dhe paqëndrueshmërisë rajonale. Ne kemi parë kostot e një vakumi të tillë më së fundi në Afganistan, ku Talebanët tani sundojnë oadiskutim të gjithë vendin. E kemi parë këtë në Irak, ku tërheqja e SHBA-së në 2011-ën bëri vend për shkatërrimet e ISIS-it teksa u ngrit nga hiri i lënë pas, dhe në ndikimin e Iranit përmes përfaqësuesve të tij politikë dhe paraushtarakë. Me sa duket, edhe në Ukrainë,

E njëjta gjë nuk duhet të lejohet të ndodhë në Ballkanin Perëndimor, ku Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë investuar ndjeshëm që nga vitet 1990 dhe ku mbështetja popullore për Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n është e lartë.

Përpara se Rusia të hapë një arenë tjetër lufte nëpërmjet përfaqësuesve të saj, Shtetet e Bashkuara duhet të rikalibrojnë politikën e tyre për të rikthyer ndikimin e SHBA-së, dhe atë transatlantik, në rajon.(Tesheshi.com)

*Dr. Harun Karçiç është gazetar dhe analist politik që mbulon Ballkanin. Gjatë dekadës së fundit, ai ka shkruar artikuj të shumtë mbi gjeopolitikën dhe fenë, veçanërisht Islamin në Ballkanin postkomunist. Ai gjithashtu shkruan për rolin e fuqive të huaja, duke përfshirë Arabinë Saudite, Iranin dhe Turqinë. Interesi i tij kohët e fundit është zgjeruar edhe me Kinën dhe Rusinë. Ai gjithashtu raporton rregullisht për pakicat myslimane në Evropë dhe nacionalizmin në rritje të ekstremit të djathtë.

Lini një Përgjigje