Beogradi thotë se avionët luftarakë serbë sulmuan disa dronë në kufirin Serbi-Kosovë

2 Nëntor 2022, 10:57Rajoni TEMA

Beogradi thotë se avionët luftarakë serbë sulmuan disa

Dronë pa shenjë u shfaqën në kufirin Kosovë-Serbi “duke vëzhguar kazermat dhe pozicionet” e ushtrisë serbe, pohuan autoritetet e Beogradit, duke bërë që presidenti serb Aleksandar Vuçiç të urdhërojë avionët luftarakë të vendit t’i rrëzojnë ata.

Dronët u larguan nga hapësira ajrore serbe përpara se avionët luftarakë të arrinin objektivat e tyre, njoftoi transmetuesi publik RTS.

Kryeministrja Ana Brnabiç tha në një intervistë për RTS të martën në mbrëmje se dronët u pikasën teksa vëzhgonin një pozicion ushtarak në anën serbe të kufirit dhe dy kazerma, duke shtuar se ajo nuk donte të spekulonte për origjinën e pajisjeve pa pilot.

Ajo theksoi se urdhri ishte që të rrëzoheshin dronët në hapësirën serbe dhe autoritetet do të monitoronin më tej zonën. 

“Nëse këto gjëra vazhdojnë të ndodhin, ne do të rrëzojmë çdo dron të tillë, ashtu si çdo vend tjetër”, shtoi Brnabiç.

Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, i mohoi raportet e disa mediave serbe, më 1 nëntor, se “dronët që janë vërejtur mbi Serbi”, kanë hyrë nga territori i Kosovës.

“Çfarëdo diskursi i tillë është vetëm pretekst për rritjen e numrit të trupave të ushtrisë serbe përreth kufirit me Republikën e Kosovës, si mjet për përhapjen e një gjendjeje paniku mbi qytetarët e të dyja shteteve”, shkroi Mehaj në Facebook.

Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, tha të mërkurën se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”.

Vuçeviç tha për RTS-në se Vuçiç ka ngritur gatishmërinë luftarake të Forcave të Armatosura të Serbisë për shkak të dronëve dhe “duke marrë parasysh përvojën në frontin ukrainas”, në mënyrë që të mos kishte, pastaj, “vonesa administrative në zinxhirin komandues”.

Disa media në Serbi transmetuan informacione jozyrtare më 1 nëntor, se dronët pa pilotë “po filmonin aktivitete në zonën e sigurisë tokësore dhe në dy kazerma” – domethënë, sipas raportimeve, fluturuan mbi Merdare dhe rrethinat e Rashkës, në kufirin me Kosovën dhe në jug të Serbisë.

Vuçeviç tha për RTS-në se, pas shfaqjes së dronëve, Vuçiç ka dhënë urdhrin që “çdo objekt i tillë të eliminohej ose të vihej nën kontrollin tonë”.

Ai shtoi se avionët luftarakë, MIG 29, të cilët u aktivizuan nga Serbia, nuk u ngritën për shkak të dronëve, por se “ata patrullojnë në qiellin tonë”.

Vuçeviç, krahas pretendimeve se dronët kanë hyrë nga territori i Kosovës, nuk dha më shumë detaje as për ta, as për arsyet e ngritjes së avionëve luftarakë dhe as për lidhjet që mund t’i kenë ata me Kosovën, për sigurinë e së cilës kujdeset edhe misioni i NATO-s, KFOR.

Ai tha se ushtria mund t’u përgjigjet “këtyre sfidave” edhe “me topa” dhe në mënyra të tjera.

Sipas tij, ushtria serbe “ka informacione” se dronët janë vërejtur jo vetëm në rrethin e Rashkës, por edhe në atë Toplicës dhe Nishavës.

Megjithatë, ai nuk shpalosi më shumë detaje në lidhje me këto informacione të pretenduara.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua më 1 nëntor Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd për çështjen e gatishmërisë luftarake, por nuk mori përgjigje.

Këto zhvillime vijnë në kohën kur në Kosovë po zbatohet plani i Qeverisë së vendit për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

Ky plan – në tre faza – filloi të zbatohet nga 1 nëntori dhe do të përfundojë deri më 21 prill, 2023.

Dita e parë e qortimit: Dilema dhe kundërshtime për targat

Shumica e serbëve në veri të Kosovës, që kontrollohen në masë të madhe nga Beogradi zyrtar, i kundërshtojnë targat që i lëshon shteti i Kosovës.

Serbët në pjesë të tjera të Kosovës ka kohë që i kanë regjistruar makinat e tyre me targa RKS.

Çështja e targave të paligjshme shkaktoi tensione në veri, verën e kaluar, kur disa serbë lokalë u rebeluan dhe ngritën barrikada.

Për të qetësuar situatën, Kosova shtyu vendimin për riregjistrimin e makinave deri më 1 nëntor.

6 Komente

  1. L
    Lymi

    Ku jane amerikanet??? Ti rrahin cik shpatullat mongoleve edhe te na shajn me liber shtepie ne shqiptareve per dronet??????

    Përgjigjjuni
    1. v
      vk

      Pse drone shqiptare ishin eee?

      Përgjigjjuni
    2. d
      dembabadem

      Jane dronet qe ruajne ashashin. Kane devijuar pak.

      Përgjigjjuni
      1. S
        Sa behet ujku dele aq behet serbi paqesor

        Ndonje dite do t’u besojne edhe vete ngarjeve qe fabrikojne po vete! Nuk rri dot serbi pa provokuar! I kane me shumice Gavrilo Princip-at

        Përgjigjjuni
        1. E
          Edioti

          Dronet erdhen nga drejtimi i Open Balkan :)

          Përgjigjjuni
          1. B
            Bashkimi

            Duke njohur mire serbet jam me se i bindur qe ai DRON eshte i tyre. Ata vrasin femijte e vete per ti akuzuar shqiptaret. Kemi shume raste po permend vetem ate te kafiteri "Panda" ne Vitomirice te Pejes.

            Përgjigjjuni

            Lini një Përgjigje