Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Shukri Buja, tha se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë e ka liruar nga të gjitha akuzat dhe ka përmbyllur hetimet ndaj tij.
Buja, ish-kryetar i Lipjanit, tha se hetimet ndaj tij, që nisën më 2019, u përmbyllën dhe ai u njoftua zyrtarisht për këtë gjatë kësaj jave nga Dhomat e Specializuara.
“Kjo është një fitore e madhe dhe e rëndësishme, e cila vërteton pafajësinë time, por edhe pastërtinë dhe lavdinë e UÇK-së”, shkroi Buja në Facebook, duke theksuar se është njoftuar zyrtarisht për këtë
“Ky është rasti i parë i mbyllur për veprat penale të krimeve të luftës të hetuara nga kjo Prokurori në mënyrë zyrtare”, shtoi ai.
Buja ditëve të fundit është paraqitur para Dhomave të Specializuara si dëshmitar i Prokurorisë në rastin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
Para se të nisej për në Hagë, Buja kishte njoftuar opinionin se po shkonte në Hagë, ku kanë selinë Dhomat e Specializuara të Kosovës “pa dëshirën” e tij.
Kjo nuk ishte hera e parë që Buja u thirr për t’u paraqitur para Dhomave të Specializuara – që njihen edhe si Gjykata Speciale – që funksionojnë sipas ligjeve të Kosovës, pasi në korrik të vitit 2019 ai ishte intervistuar si i dyshuar.
Shukri Buja është përmendur në aktakuzën e ndryshuar më 2022 të Dhomave të Specializuara të Kosovës në rastin kundër katër ish-krerëve të UÇK-së, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli, dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi, të dyshuar për krime lufte gjatë viteve 1998-200.
Aktakuza pretendon se Shukri Buja ka qenë pjesë e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale” sikurse “Azem Syla, Lahi Brahimaj, Fatmir Limaj, Sylejman Selimi, Rrustem Mustafa, Latif Gashi dhe udhëheqës të tjerë politikë dhe ushtarakë të UÇK-së”.
Në aktakuzë thuhet se Buja, ish-komandant i UÇK-së për zonën e Nerodimës, “mori pjesë së bashku me Fatmir Limajn dhe me shumë pjesëtarë të UÇK-së në arrestimin dhe mbajtjen e njerëzve në Llapushnik” mes prillit dhe korrikut të vitit 1998.
Ndërkohë, në Dhomat e Specializuara është duke u zhvilluar rasti gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
REL
Te urojm shendet e suksese o Qlirimtare i gezohemi shume pafajsis se juaj po gjithashtu dhe te tjereve qe jane atje ku ishe,Por me shprese se se shpejti dhe ata do kthehen pra te pa fajshem LIRI PER QLIRIMTARET Shefki Mexhani SH B A