‘Jo Kosovës në OKB’, Vuçiç për mediat serbe: E papranueshme oferta e Lajçak

19 Shtator 2022, 20:10Rajoni TEMA

‘Jo Kosovës në OKB’, Vuçiç për mediat

Për Serbinë është e papranueshme anëtarësimi i Kosovës në OKB. Kështu ka deklaruar presidenti Aleksandar Vuçiç në një intervistë për televizionin privat “Pink”, nga Nju Jorku ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Vuçiç ka bërë me dije se ka refuzuar një dokument të paraqitur nga i dërguari i posaçëm i BE-së, Miroslav Lajçak, që propozonte një zgjidhje të çështjes së Kosovës.

Në dokumentin në fjalë, sipas mediave ballkanase, propozohej mes të tjerash një pranim i shpejtë i Prishtinës në OKB dhe njohja e saj nga Serbia brenda një periudhe 10-vjeçare.

Gjatë intervistës, Vuçiç ka nënvizuar se pozicioni i Serbisë është i vështirë, por ka shtuar se në asnjë rrethanë vendi i tij nuk do të dorëzohet.

“Duhet të kuptoni se janë 5 vende kundër nesh sa i takon Kosovës. Nuk mund të arrijmë shumë këtu, por do të luftojmë”, ka thënë Vuçiç.

Ai është shprehur se në këtë situatë nevojitet shpirt luftarak dhe që Beogradi të jetë i qartë sa i takon pozicionit të tij, se nuk do të pranojë asnjë zgjidhje të imponuar.

“Në këto kushte, do të jetë e vështirë t’i mbijetojmë shtatorit dhe tetorit”, ka shtuar Vuçiç në intervistën e dhënë.

Lini një Përgjigje