
Edward Joseph, ligjërues në John Hopkins University dhe njohës i çështjeve politike në Ballkanin Perëndimor, ka shpjeguar pse çështja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës nuk ndryshon nga ajo e Ukrainës.
Në një artikull të publikuar një ditë pas 15-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ai shkruan se Ukraina është në pozicionin më të mirë aktualisht për të afirmuar rendin perëndimor duke njohur Kosovën dhe të çojë përpara përpjekjet diplomatike rreth zgjidhjes së kontestin mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka vlerësuar se njohja e pavarësisë së Kosovës nga Kievi zyrtar mund të zhbllokojë rrugën e shtetit kosovar drejt NATO-s dhe t’i shkaktojë një goditje të rëndë presidentit rus Vladimir Putin.
“Njohja e Prishtinës nga Kievi e riformulon menjëherë çështjen e Kosovës si një çështje urgjente të sigurisë evropiane – një zgjedhje lineare, ekzistenciale midis dy rendeve të ndryshme, jo e ndryshme nga zgjedhja me të cilën përballet Perëndimi në Ukrainë”, ka shkruar Joseph.
Sipas tij, pesë vendet mosnjohëse brenda NATO-s dhe Bashkimit Evropian – Greqia, Rumania, Sllovakia, Spanja dhe Qipro – jo vetëm që po e bllokojnë rrugën e Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së, por po pohojnë narrativat serbe dhe ruse të viktimizimit në duart e Perëndimit.
“Përplasja artificialisht e zgjatur rreth Kosovës i jep fuqi Beogradit dhe Moskës të bashkëpunojnë në një agjendë të përbashkët për të zgjatur trazirat në Ballkan. Ndarjet evropiane për Kosovën i japin Putinit justifikimin e tij thelbësor për sulmin e vazhdueshëm rus kundër Ukrainës dhe Perëndimit”, shkroi Joseph.
Ai shtoi se synimi përfundimtar i Serbisë në Kosovë është pothuajse identik me qëllimin e Rusisë në Ukrainë: të detyrojë Perëndimin e dërrmuar të përballojë ndarjen e një vendi të pavarur, duke vërtetuar kështu narrativat nacionaliste.
“Ndarja e Kosovës do të avanconte shpresën e Putinit për një tregti të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Rusia në këmbim të njohjes ndërkombëtare të pretendimit të Rusisë ndaj Krimesë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së”.
“Lënia e Kosovës në harresë, përbënte një problem rajonal; pas pushtimit rus të Ukrainës, është një problem evropian dhe transatlantik. Për sa kohë që Evropa mbetet e ndarë rreth Kosovës dhe parimeve që e çuan atë të bëhet e pavarur, nuk ka parime të dakorduara për rendin evropian”, shtoi Joseph.
Joseph ka komentuar propozimin e BE-së me të cilin synohet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çështjen më problematike aktualisht në raportet mes palëve – Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në sytë e tij, pak shtete do të zbatonin qoftë edhe një formë të mirë autonomie për një “pakicë separatiste” që nuk pranon sovranitetin e shtetit në të cilin ushtrohet autonomia dhe në këtë kontekst, thotë se modeli i suksesshëm për Ballkanin është në Kroaci.
“Zagrebi ra dakord në vitin 1995 për një formë të kufizuar autonomie për serbët e shkëputur të Kroacisë vetëm kur ata pranuan sundimin e qartë kroat. Nuk është rastësi që sot vetëm në Kroaci serbët në kufi me Serbinë marrin pjesë në jetën politike si qytetarë dhe jo si kundërshtarë me shumën zero”, shkruan Joseph.
Po çe pengon Ukrainën ta njohë Kosovën ? Apo ka hall se Serbia miraton bashkimin e Krimesë dhr 2 Republikave të Donbasit me Federatën Ruse. Ukraina nuk ka pse barazon 3 rajonet që me referendume dhe luftë ju bashkuan Rusisë me Kosovën që ju njoh pavarsia edhe nga Gjykata e Hagës dhe nga fuqitë perendimore. Ukrainasit nuk dalin dot kundër vllkezërve të tyre serbë të cilët i ndihmuan me mercenarë gjatë luftës në Kosovë. Prandaj më duket hallvë e ftohtë njohja e Kosovës prej tyre.