Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë Valmir Elezi, në një deklaratë për mediet sot në 8 qershor, foli për procesin e numërimit, që ende vijon.
Elezi u shpreh se vazhdon numërimi për votat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet që u mbajtën në 7 qershor.
Shtoi se KQZ po vijon procesin e numërimit të votave për personat me aftësi ndryshe dhe diasporën.
Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së: Numërimi i votave të kandidatëve do të bëhet duke pasur transparencë të plotë. Verifikimi dhe numërimi ka nisur nga sot nëpër komuna. Vijon numërimi për votat e kandidatëve. KQZ gjatë këtij procesi zgjedhor ka mundësuar votimin me kushte në 52 vendvotime, si dhe ka siguruar votimin për personat me aftësi të veçantë.
Ndërsa është parë dhe mbarëvajtja e votimit në diasporë. Numri i përgjithshëm i votuesve nga posta është mbi 104 mijë individë. Vazhdojmë me rigorozitet që të numërojmë votat për diasporën dhe për personat me nevoja të veçantë. Mund të rinumërojmë dhe 10 përqind të votave në total brenda Kosovës. Procesi i numërimit nuk mund të përfundojë sot. Nuk mund të ketë një datë të saktë, sepse çdo gjë varet nga dinamika.
Dje në 7 qershor u mbajtën zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, që u fituan nga Vetëvendosje me 43 përqind të votave. Mirëpo, VV-së i duhet një aleat në qeverisje.
Lini një Përgjigje