Kreu i LDK-së: Qeveria Kurti është shndërruar në një qeveri autokratike

25 Gusht 2022, 16:54Rajoni TEMA

Kreu i LDK-së: Qeveria Kurti është shndërruar në

Kërkimi i listave të punonjësve të cilët janë në grevë nga ana e Qeverisë së Kosovës, sipas kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përveç se është presion i drejtpërdrejtë ndaj punëtorëve të sektorit publik është dhe kërcënim ndaj proceseve demokratik në vend dhe vet shtetit juridik.

Mu për këtë arsye, deputeti i LDK-së, Qeverinë Kurti e ka cilësuar si qeveri autokratike, e cila në vend se të fokusohet në krijimin e stimujve për punëtorët e sektorit publik, po i kërcënon ata.

“Sot, shoqëria kosovare duhet të rreshtohet prapa mësuesve, mjekëve e shërbyesve publik që me plot të drejtë, në krizën më të madhe ekonomike, kërkojnë dialog, dinjitet e përballueshmëri”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin e tij social në Facebook.

Punëtorët e sektorit publik, sipas Abdixhikut, po ballafaqohen me një kryeministër që me frikë e kërcënim, po provon t’i mbulojë të gjitha dështimet e tij.

“Ndërprerja e kontratave të tyre, në këtë kohë krize, është goditja më e rëndë që një Qeveri mund t’u japë qytetarëve të vet. Kështu nuk duhet të duket Kosova demokratike, kështu nuk duhet të trajtohen punëtorët tanë”, ka shkruar ai

“Kryeministri i premtimeve, që sot s’mund ta mbajë asnjë, po dëshmon, si çdo ditë, që është i paaftë për të menaxhuar me vendin, kërkesat qytetare e krizat e mëdha”.

Nga e enjtja e 25 gushtit punëtorët e sektorit publik kanë hyrë në grevë të përgjithshme dhe për këtë arsyeje të njëjtit po kërcënohen se nuk do të paguhen për orët e humbura të punës.

Bazuar në dokumentin që Ministria e Financave ia ka dërguar grevistëve thuhet se zyrtarët që i janë bashkuar grevës pezullohen nga e drejta për pagesë dhe detyrimi i bindjes për të punuar.

“Pra, kjo i bie që edhe nëse për një orë një zyrtar është në grevë, për një orë nuk ka përgjegjësi për të punuar dhe nuk paguhet”, thuhet në dokument.

Rreth këtij vendimi ka pasur reagime të shumta.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, vendimin e Qeverisë së Kosovës, e ka cilësuar si skandaloze i cili nuk i nganë aspak të një vendimi të një shteti demokratik.

Ajo madje ka kujtuar kohën kur Lëvizja Vetëvendosje ishte në opozitë, dhe mbështete hapur sindikatat dhe nevojën e tyre për grevat.

Në anën tjetër deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka theksuar faktin se Lëvizja Vetëvendosje ka ardhur në pushtet duke premtuar zgjidhje për secilin problem në nivel lokal, në nivel qendror e në nivel ndërkombëtar.

“Tash, në vend të zgjidhjeve, Qeveria ka zgjedhur konfrontimi me sindikatat si rrugë e vetme. Kjo rrugë është e gabuar pasi pasojat do t’i bartin të gjithë e jo veç partia në pushtet dhe kryeministri Kurti. Edhe ideja për t’i ndëshkuar sindikalistët grevistë është vepër penale dhe nuk mund të realizohet në një shtet demokratik siç është Kosova”, ka shkruar Barjami në rrjetin e saj social në Facebook.

Lini një Përgjigje