Kreu i Zubin Potokut: Nuk e jap dorëheqjen, kushtet e serbëve bien ndesh me ligjin

2 Qershor 2023, 21:00Rajoni TEMA

Kreu i Zubin Potokut: Nuk e jap dorëheqjen, kushtet e serbëve bien

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka paralajmëruar tashmë mundësinë e zgjedhjeve të reja në veri. Ajo të enjten tregoi edhe si mund të bëhet kjo. Megjithatë, vendimin për zgjedhje të reja nuk po e sheh si zgjidhje aktualisht, kreu i ri i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri.

Ai tha se kjo nuk mund të bëhet pa një analizë të zgjeruar.

“Nuk shoh që ideja e zgjedhjeve të reja do të prodhojë diçka më mirë. Duhen studiuar arsyet pse duhet të tërhiqemi, pse duhet të ketë zgjedhje të reja. Duhet të ketë baza të arsyeshme e më pas të veprohet,” – u shpreh Zeqiri.

Po ashtu ai tha se nuk e ka ndërmend të dorëhiqet dhe nuk ka pasur një kërkesë të tillë as nga ambasadori amerikan.

“Për momentin nuk kemi ndonjë bisedë rreth kësaj në nivelin e qeverisë, ministrisë së pushtetit lokal ose qoftë nga kabineti i presidentes. Ne duhet të kemi një analizë të studiuar pak më gjerë se përse ne duhet të japim dorëheqjen. Për momentin nuk mendoj për atë çështje,” – tregoi kryetari i Zubin Potokut.

Ndërkohë, ka bërë të ditur se pse kanë vendosur që detyrën ta ushtrojnë nga objekte alternative, por nuk e përjashton mundësinë e kthimit në ndërtesën e komunës.

“Momentalisht nuk janë kushtet e përshtatshme për punë në komunë, ndërsa ne kemi shumë punë për të konsoliduar kabinetin,” – tha Zeqiri.

Sipas tij veprimet e serbëve janë tentim për të sulmuar ligjin dhe rendin në Kosovë.

“Kjo është thjesht një pengesë që gjithë kohës janë përpjekur t’i bëjnë rendit dhe ligjit,” – u shpreh Zeqiri.

Po ashtu ai beri të ditur edhe qëndrimin e Partisë Demokratike të Kosovës rreth asaj që po ndodh në Veri dhe punën e tij si kryetar.

“Qëndrimi i PDK-së ka qenë konstruktiv, të jemi të harmonizuar në vija institucionale. Natyrisht dhe me ndërkombëtarët, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” – tregoi Zeqiri.

Ndërkaq, ndërtesa e komunës së Zubin Potokut ku do duhej të ishte kryetari Zeqiri vazhdon të jetë e rrethuar me protestues serb. Por, për dallim nga ajo e Leposaviçit dhe Zveçanit, ajo po ruhet nga pjesëtarët e policisë së Kosovës.

Zubin Potoku ka qene komuna me më pak tension në Veri që kur kanë filluar trazirat në këtë pjesë të Kosovës.

1 Komente

  1. N
    Niko Shpiragu

    Ky flet per zbatim te ligjit zgjedhor dhe ashtu duhet te behet. Ligji zgjedhor nuk lejon qe me 3% te votave te jesh drejtues komune, prandaj largohu sa me shpejt e mos bej dengla kot se me pas do te quajne uzurpator. Si s'ke turp e hiqesh trim se tani po te ruajne policet, por me vone kur te ikin ata do tia mbathesh me te katra e do qash se po te sulmojne gangsteret . Ti po tregohesh gangster se ke policet tani. Nje njeri me dinjitet edhe sikur gjithe bota ta keshilloj e mbroj kur ai perfaqeson vetem 3% te zgjedhesve, nuk do te pranoje te filloj detyren dhe ndihmen qe do ti japin do ta quante fyrje te personalitetit te tij. Qysh mund te pranosh kete detyre ku s'te duan qytetaret dhe te urrejne. Zgjedhjet e reja jane e vetmja alternative dhe qeveria e Kosoves duhet te perpiqet te negocioje me qytetaret e revoltuar e te bien ne dakortesi qe ato te behen ne nje kohe te pershtateshme. Nderkombetaret mendojne se vetem ne kete menyre drejtesia funksionon: vetem ata qe kane besimin e shumices se zgjedhesve duhet te drejtojne. Ky eshte ligji themelor dhe jo ato ger veret e tua. Jemi ne kohen moderne dhe nuk jemi ne kohen e perandoreve ku perandori vendos dhe urdheron se kush do te jete i pari ne nje rajon. Te parin e vendos populli me vote dhe ti duhet ta dish mire kete.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje