Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Evropian, Marta Kos, ka reaguar sërish ndaj deklaratës së ministres serbe Snezhana Paunoviç për “spastrimin etnik” në Kosovë, duke e cilësuar atë si të papranueshme për një zyrtare të një vendi kandidat për anëtarësim në BE.
Gjatë fjalimit të saj në Komitetin e Posaçëm për Mburojën e Demokracisë Evropiane në Parlamentin Evropian, Kos u shpreh e befasuar që Paunoviç vijon të mbajë detyrën e ministres pas deklaratave të bëra publikisht.
“Ishte tronditëse të dëgjonim diçka të tillë në vitin 2026. Nuk do ta përsëris as atë që ajo tha. Nuk mund ta imagjinoj që një ministre, pas një deklarate të tillë publike, të mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e saj”, deklaroi Kos.
Komisionerja evropiane u bëri thirrje politikanëve në vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian që të kuptojnë përgjegjësinë që mbartin deklaratat publike dhe pasojat që ato mund të sjellin.
Reagimi i saj vjen pas deklaratave të ministres serbe Paunoviç, të cilat shkaktuan reagime të forta në Kosovë, Serbi dhe në arenën ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje