
Kardiologu i njohur maqedonas, Zhan Mitrev, njëherësh pronari i spitalit privat me të njëjtin emër, ka dhënë 1 milion euro duke siguruar autoritetet se nuk do të largohet nga Maqedonia e Veriut.
Lajmin e bëri të ditur Prokuroria Publike Themelore e Shkupit këtë të mërkurë, shkruan REL.
Kundër Mitrevit po zhvillohen hetime lidhur me dyshimin për mashtrim të pacientëve në spitalin e tij privat, “Zhan Mitrev”.
Nga prilli i vitit 2020 deri në vitin 2022, me qëllim të përfitimit të mjeteve financiare, dyshohet se ai ka mashtruar pacientët që po trajtoheshin me COVID-19 me metodën e hemofiltrimit, procedurë kjo joligjore që ka çuar, sipas autoriteteve gjyqësore, në vdekjen e 24 personave.
Kallëzime penale kundër spitalit privat të kardiokirurgjisë, “Zhan Mitrev”, në Shkup të Maqedonisë së Veriut, kanë ngritur edhe tetë familje tjera që kanë humbur të afërmit e tyre, në mesin e të cilave edhe familje nga Prishtina.
Për shkak të rrezikut për arratisje, Zhan Mitrevit i është konfiskuar pasaporta në muajin gusht.
Lini një Përgjigje