Luke Coffey nga Qendra për Evropën dhe Euroazinë në Institutin “Hudson” në Uashington, folës në diskutimet në Komitetin për Politikë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, ka paralajmëruar se zhvillimet e fundit në Serbi janë duke e shtyrë Ballkanin Perëndimor drejt një situate të rrezikshme.
“Serbia sot është në të njëjtën situatë në të cilën gjendej Rusia në vitin 2014, në prag të aneksimit të Krimesë: e fiksuar pas pakënaqësive historike, gjithnjë e më armiqësore ndaj fqinjëve dhe e gatshme të përdorë mjete presioni për të avancuar agjendën e saj”.
Coffey e ka përshkruar agjendën e ashtuquajtur “Bota Serbe/Srpski svet” si manifestim modern të projektit irredentist të “Serbisë së Madhe” duke e krahasuar me doktrinën ruse të “Botës Ruse/Russkiy mir” që synon të zgjerojë territorin përtej kufijve aktualë.
“Kjo politikë kërcënon jo vetëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Hercegovinës, por edhe të Kosovës, Malit të Zi dhe të Maqedonisë së Veriut. Serbia ka lëvizur drejt rivendosjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak, krahas riarmatosjes së vazhdueshme”, ka nënvizuar ai para Komitetit për Politikë të Jashtme.
Ai ka rekomanduar që administrata amerikane të ndjekë një qasje realistike dhe pragmatike ndaj Serbisë, duke marrë parasysh ndikimin e saj dhe lidhjet ekonomike dhe ushtarake me Rusinë. Gjithashtu, ai ka sugjeruar administratën amerikane të mbajë prezencën ushtarake në Kosovë përmes Forcës së NATO-s – KFOR.
Ndryshe, për shumë vëzhgues të huaj, droja e rrëshqitjes drejt skajeve të krizës është skenar real, posaçërisht në kontekstin e veprimeve të Serbisë; derisa lojtarët lokalë serbë të lidhur me interesat ruse zgjerojnë hijen kërcënuese dhe provovojnë konflikte, rreziku i ri-përshkallëzimit qëndron i varur mbi rajon Ballkanin Perëndimor.
Lini një Përgjigje