Sezoni turistik në Mal të Zi nis me çmime të larta, bllokada trafiku dhe vonesa

11 Qershor 2025, 20:50Rajoni TEMA

Sezoni turistik në Mal të Zi nis me çmime të larta,

Nga Jasna Vukiqeviq, REL

Danilo dhe Ana nga Podgorica, me foshnjën e tyre, po pushojnë në një hotel të kategorisë mesatare, dhe janë të kënaqur që në plazhin afër nuk ka ende shtretër – kështu do të shpenzojnë më pak se kishin planifikuar. Por, janë të habitur nga çmimet në markete:

“Bleva një shishe ujë, patatina dhe ‘smoki’ – gjithsej 7 euro. Ndërkaq, në një piceri afër, çmimet ishin gati dyfish më të larta se në Podgoricë”, thotë Ana për REL-in.

Jovani, nga Serbia, mendon se çmimet janë të arsyeshme për cilësinë që ofrohet, dhe thotë se janë më të ulëta se në Beograd, ku ai jeton:

“Për mua nuk është shtrenjtë, çmimet janë në përputhje me ofertën”.

Zahra, nga Azerbajxhani, ndodhet për herë të dytë në Mal të Zi, dhe po qëndron në akomodim privat:

“Disa restorante janë të shtrenjta, por ka zgjedhje, dhe mund të gjesh edhe më të lira. Përshtypjet e mia janë pozitive, prandaj kam ardhur sërish”.

Udhëtimi drejt Malit të Zi është ngadalësuar ndjeshëm për shkak të infrastrukturës së dobët rrugore dhe kolonave kilometrike.

Disa turistë thonë se nga Dubrovniku deri në Budva, ku shkojnë shpesh, në kushte normale u duhen dy orë, por gjatë verës gjashtë deri në shtatë orë.

Shkak janë pritjet në kufi, dhe punimet në Rrugën e Adriatikut, mes Tivatit dhe Budvës.

Veturat përshkojnë këtë distancë prej vetëm 24 kilometrash për rreth një orë e gjysmë në verë.

Punimet në këtë segment prej 16 kilometrash nisën në janarin e 2024-tës, dhe parashikohet të zgjasin dy vjet.

Kjo rrugë është arteria kryesore e turizmit malazias, pasi lidh aeroportet e Tivatit dhe Dubrovnikut.

Ndërkohë, transporti ajror është gjithashtu problematik. Prej vitesh paralajmërohet se aeroportet në Tivat dhe Podgoricë janë shumë të vogla për të përballuar fluksin sezonal.

Në përgjigje për REL-in, kompania shtetërore Aeroportet e Malit të Zi thotë se janë “midis dy zjarreve”.

“Publiku kërkon më shumë linja dhe udhëtarë, ndërsa ne punojmë në terminale që janë të njëjtë si në vitin 2006”.

Lini një Përgjigje