Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe fati i (pa)ndarë i tyre për integrimin

29 Prill 2022, 14:40Rajoni TEMA

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut dhe fati i (pa)ndarë i tyre për

Këtu e 6 vjet më parë, Komisioni Europian i propozoi për herë të parë Këshillit fillimin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, referuar fillimit të një progresi konkret në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti “Vettingut” të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Më tej ishte një listë e gjate e Bundestagut gjerman jo vetëm teknike por edhe politike që Shqipëria duhet të plotësonte.

Në vitin 2018 paralelisht me përpjekjet e Shqipërisë, Maqedonia e Veriut që kishte avancuar në përmbushjen e kritereve, fitoi mikun “bllokues” në rrugën e saj të integrimit, Greqinë, duke firmosur me këtë të fundit, marrëveshjen historike, atë të Prespës për çështjen e emrit. Një konflikt i hapur prej dekadash mes dy vendesh.

Marrëveshja u konsiderua historike dhe u shoqërua me vizita zyrtarësh të lartë të BE-së në Maqedoninë e Veriut për t’i thënë popullit se vendi kishte plotësuar kriterin e fundit për hapjen e negociatave.

Shqipëria asokohe ndodhej në një situatë të komplikuar mes kushtesh jo vetëm teknike por edhe politike. Ndaj saj Franca e Emannuel Macron kishte kritika.

Në 2019, Franca ishte pro Maqedonisë së Veriut dhe kundër Shqipërisë.

Më pas Holanda ishte kundër, kur Franca u qetësua duke kaluar në një zinxhir bllokimesh, që më shumë sesa plotësim kriteresh lidheshin  me politikat e vendeve skeptike kryesisht të varura nga zgjedhjet e tyre të brendshme.

Me iniciativën e Gjermanisë u vendos që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut të ecnin bashke si paketë për caktimin e kornizës së bisedimeve për anëtarësim.  

Kjo do i hapte rrugë Konferencës së Parë Ndërqeveritare, një hap ky që në vitin 2018-2019 u pa si favorizuese për Shqipërinë, por jo për Maqedoninë e Veriut që deri atë kohë nuk e kishte kontestuar asnjë vend i BE-së.

Mes drejtuesish të lartë të shtetit në Maqedoni qarkullonte edhe publikisht skepticizmi se Maqedonia e Veriut do të “digjej” nga Shqipëria.   

Për të arritur një vit më parë, kur faqja u kthye dhe Bullgaria përdori veton e saj ndaj Maqedonisë së Veriut për histori të vjetra mes tyre.  

Gjermania e cila mbante presidencën e BE-së asokohe do të sqaronte se duhej bërë dallimi mes konflikteve dypalëshe, pikave të fërkimit që kishte ende mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut nga njëra anë, dhe BE-së si një e tërë, nga ana tjetër.

Gjermania kërkoi që problemet dypalëshe ende të pazgjidhura mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos ngriheshin në nivel europian, duke kërkuar disa herë mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqerveritare për dy vendet.

Megjithatë, ndaj Shqipërisë zyrtarët më të lartë të Bashkimit Europian këmbëngulnin disa herë se duhej bërë më shumë në drejtim të reformës në gjyqësor, luftës ndaj korrupsionit, reformës zgjedhore dhe ngritjes së Gjykatës Kushtetuese.

Për të ardhur ditët e sotme ku lufta në Ukrainë ka sjellë një këndvështrim krejt tjetër se si duhet parë roli i Ballkanit Perëndimor dhe e ardhmja e saj në BE.

Kryeministri Edi Rama mes lojëra fjalësh në takimin me Komisionerin e Lartë të BE-së, Oliver Varhelyi la të kuptoje se Shqipëria nuk do të presë pafund Maqedoninë e Veriut në përpjekjet e kësaj të fundit për të zhbllokuar bisedimet me Bullgarinë. Kjo e fundit veçse i shton kërkesat e saj.

Rama më herët kishte lëshuar sinjale se do të kërkonte ndarjen me Maqedoninë, më pas dha disa afate se deri kur mund të toleronte Shqipëria, ndërsa një ditë më parë, shprehu gatishmërinë që të shkonin sërish bashkë si paketë.

Në fund të fundit, negociatat me cic- mice, bashkë apo të ndarë, nuk do të varen as nga ne dhe as nga Maqedonia e Veriut.

Majlinda Bregu një njohëse e mire e integrimit do të komentonte ne Facebook se, “përmbushja e kritereve teknike nuk ecën paralel me vendimmarrjen e vendeve anëtare”.

Bregu shkruan se, “edhe pse sa herë një krizë trondit botën mbarë, qoftë ajo pandemi, krizë emigratore apo luftë, Ballkani është gjithmonë rajoni i brishtë kur kthejnë sytë të gjithë”.

Por pa zgjidhje, veçse premtimesh që në rastin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut si paketë datojnë këtu e katër vjet më parë...

Lini një Përgjigje