Kroacia, Sllovenia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina kanë marrë vendim për evakuimin e stafit të ambasadave nga Izraeli dhe Irani për shkak të situatës aktuale të sigurisë.
Kryesia e Bosnjë dhe Hercegovinës, në një mbledhje të jashtëzakonshme, ka marrë vendim për mbylljen e përkohshme të ambasadave të BeH në Republikën Islamike të Iranit dhe në Izrael.
Kroacia njoftoi të mërkurën se do të ndërmarrë evakuimin e diplomatëve të saj nga Izraeli dhe Irani, si dhe konfirmoi se po punon në riatdhesimin e qytetarëve kroatë nga këto zona të prekura nga konfliktet, shkruajnë mediat.
Në anën tjetër kryeministri i Serbisë, Gjuro Macut, ka biseduar të enjten në Kajro me ministrin e Punëve të Jashtme, Emigracionit dhe Diasporës së Republikës Arabe të Egjiptit, Badr Abdelati, lidhur me evakuimin urgjent të qytetarëve serbë që aktualisht ndodhen në Izrael, numri i të cilëve kalon 2 mijë e 500.
Ndërkohë Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Sllovenisë ka njoftuar se ka tërhequr të gjithë personelin diplomatik nga Republika Islamike e Iranit, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të punonjësve në ambasadën në Teheran.
Në njoftim thuhet se të gjitha shërbimet konsullore për qytetarët në Iran janë pezulluar deri në një njoftim të dytë.
Maqedonia e Veriut ka evakuuar grupin e parë prej tetë shtetasve të saj nga territori i Izraelit, të cilët kanë arritur me avion të martën në mbrëmje në Shkup.
Ky veprim ka ardhur në kulmin e përshkallëzimit të sulmeve ajrore dhe raketore midis Izraelit dhe Iranit. Konflikti nisi të premten kur Izraeli ndërmori sulme ajrore në disa lokacione në të gjithë Iranin, përfshirë objekte ushtarake dhe bërthamore, gjë që shtyu Teheranin të kundërpërgjigjet.
Lini një Përgjigje