Subvencionimi i blerjes së teksteve, Nagavci s'e di shumën e parave të kthyera nga prindërit që s’kishin të drejtë aplikimi

17 Shtator 2025, 12:34Rajoni TEMA
Subvencionimi i blerjes së teksteve, Nagavci s'e di shumën e

Ka më shumë se një muaj që Arbërie Nagavci, ministrja në detyrë e Arsimit në Kosovë, deklaroi në emisionin “Kallxo Përnime” se ka prindër që i kthyen paratë e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore në vitin 2024. Fjala është për prindër që nuk kishin të drejtë aplikimi apo që e keqpërdorën procesin e subvencionimit.

Edhe pse "KALLXO.com" e ka pyetur nga data 03.08.2025 ministren Nagavci për numrin e prindërve që kthyen paratë e subvencionimit dhe shumën e parave të kthyera  ende nuk ka marrë përgjigje.

Nagavci përgjigje nuk dha as në një prononcim për media më 15.09.2025, kur e vizitoi Qendrën e Studentëve.

“Disa nga ato që janë identifikuar nga zyrtarët në Ministri të Arsimit, ka pasë komunikim direkt me prindër që të kthehet pagesa e tyre, ndërkaq të tjerat, me sa jam e njoftuar janë adresuar qoftë në komunë, qoftë në organet kompetente në mënyrë që të mos abuzohet asnjë cent” – u përgjigj Nagavci.

“Unë nuk mund të di numrin e saktë të mjeteve… Shuma është e shumëzuar me numrin e prindërve, të cilët kanë aplikuar pa u takuar ajo e drejtë” – ka shtuar ajo pas insistimit të KALLXO.com që të tregojë shumën e përafërt.

Kurse, në emisionin “Kallxo Përnime” të datës 03.08.2025, Nagavci kishte thënë: “Këtë vit i kemi dërgu edhe ka që i kanë kthy mjetet. Si Ministri e kemi fillu procesin. Ka individë që i kanë kthy mjetet. Nuk i di detajet se është duke vazhdu si proces”.

Madje, e para e Arsimit kishte thënë se mund t’i marrin të dhënat në lidhje me keqpërdoruesit e subvencionimit të teksteve shkollore në 2024 nëse do t’ua kërkonim zyrtarëve të saj.

Ajo kishte thënë se ia kanë kërkuar Auditorit të dhënat e keqpërdoruesve dhe e kanë adresuar këtë çështje me përgjegjësi penale, pasi në aplikim secili prind është pajtuar se këto mjete do t’i shpenzojë për tekste dhe mjete mësimore dhe nuk do t’i përdorë për qëllime të tjera.

Ndërkohë Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar se më 2024 mbi 60 mijë euro iu dhanë qytetarëve të cilët nuk i plotësuan kriteret për fëmijët e tyre që të marrin subvencionimin për blerjen e teksteve shkollore.

Këtë vit, Ministria është duke i verifikuar aplikuesit përmes koordinatorëve të shkollave.

MASHTI tha për KALLXO.com se deri më 11.09.2025 i kanë refuzuar 4,532 aplikime, i kanë aprovuar 191,873, ndërsa 21,198 prindër janë duke pritur që t’u ekzekutohet subvencionimi.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Arsimit edhe më 15.09.2025 për numrin e prindërve që po presin të subvencionohen pasi u është aprovuar aplikimi, por ende nuk ka marrë përgjigje. As Nagavci nuk ishte në dijeni për këto shifra dhe kërkoi që të pyeten zyrtarët e saj.

MASHTI po i subvencionon me nga 80 euro nxënësit e klasave 1 – 9, për ata deri në klasë të 5-të për blerje të teksteve shkollore, kurse për të ata deri në klasë 9-të për blerje të mjeteve shkollore.

Lini një Përgjigje