Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë bashkëpunëtori i afërt i djalit të Vuçiqit

8 Tetor 2023, 18:50Rajoni TEMA

 

Sveçla: Në sulmin në Banjskë mori pjesë

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka publikuar një dokument personal të një serbi, që tha se janë gjetur pas sulmit ndaj policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.

Sipas Sveçlës, dokumenti i përket Millorad Jevtiqit që “njihet si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Danillo Vuçiq, djalit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq”.

“Nga pesë vizitat e fundit të djalit të Vuçiqit në Kosovë, katër herë ata kanë qenë bashkë në të njëjtën veturë”, pretendoi Sveçla.

Ai tha se gjetja e këtij dokumenti dëshmon se Jevtiq ka qenë i përfshirë në sulmin ndaj policisë së Kosovës.

Ministri kosovar tha po ashtu se Jevtiq është identifikuar si një ndër sulmuesit e ushtarëve të KFOR-it më 29 maj në Zveçan, në veri të Kosovës.

“Mbetet që organet e sigurisë dhe hetimet të zbulojnë se përveç Vuçiqit dhe strukturave të larta shtetërore serbe, a ka qenë edhe djali i tij [i përfshirë] në planifikimin dhe organizimin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit”, shkroi Sveçla në Facebook.

Më 24 shtator, një grup i armatosur sulmoi një njësi patrulluese të policisë së Kosovës në një rrugë në fshatin Banjskë, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.

Më pas, grupi i sulmuesve u strehua në manastirin në Banjskë, prej ku vazhdoi përleshjet me zyrtarët policorë.

Gjatë përleshjeve, sipas autoriteteve kosovare, janë vrarë tre sulmues.

Kosova ka fajësuar për këtë sulm – që e cilëson terrorist – Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.

Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka pranuar se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulmin në Banjskë.

Kosova ka publikuar dëshmi për përfshirjen e Radoiçiqit në ngjarjet në veri, përfshirë edhe pamje të incizuara me dron ku ai shihet i veshur me uniformë dhe i armatosur në manastirin e Banjskës më 24 shtator.

Pas sulmit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar një rezolutë e cila kërkon një hetim ndërkombëtar për të përcaktuar rolin e Serbisë në sulmin në Banjskë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë dënuar ashpër sulmin, teksa u kanë bërë thirrje palëve që të kthehen në dialogun për normalizimin e raporteve që ndërmjetësohet nga Brukseli.

Në BE po ashtu disa shtete kanë kërkuar që Serbia të ndëshkohet nëse vërtetohet se ka qenë e përfshirë në sulm. Blloku evropian ka deklaruar se po pret përfundimin e hetimeve dhe më pas do të vendosë se çfarë hapash do të ndërmarrë.

4 Komente

  1. K
    Kastriot

    Vučić vjen nga partia fashiste e kriminelit të luftës Šešelj, Partia Radikale Serbe. Vučić këmbë e kokë është ultranacionalist por duke qenë ministër i (dez)informimit të Milošević-it e ka përsosë artin e gënjeshtrës dhe përdorë gjuhë mashtruese. Vučić është direkt i përfshirë në agresionin terrorist të Serbisë kundër Kosovës në koordinim me Rusinë. Për fat dështoi, sepse Rusia është koordinu edhe me Iranin që Hamas ta sulmoj Izraelin.

    Përgjigjjuni
    1. a
      astriti

      shikoni fytyren e djalit te pashicit ,cfare ngerdheshje , nuk e di se kujt i ngerdheshet po kjo eshte fiks fytyra e politikes serbe .interesante .cfare ilustrimi perfekt i ngerdheshjes .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje