Takime “sa për sy e faqe”, partitë ende larg marrëveshjes për presidentin

7 Prill 2026, 19:05Rajoni TEMA
Takime “sa për sy e faqe”, partitë ende larg

Partitë në Kosovë ende janë larg një marrëveshjeje për të zgjidhur çështjen e presidentit. Takimet e liderëve politikë vlerësohen sa për sy e faqe dhe se zgjedhjet po bëhen të pashmangshme.

Takimet mes liderëve politikë në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit vlerësohen se po bëhen sa për sy e faqe. Njohësit e çështjeve politike thonë se partitë janë larg një marrëveshjeje.

Kryeministri Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk arritën asnjë dakordim për ndonjë emër.

Pas takimit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje deklaroi se duhen më shumë vota sesa që i kanë në dispozicion këto dy parti së bashku, e që janë 81.

“Janë duke u mbajtur sa për sy e faqe. Nuk e di pse ka ndodhur takimi i djeshëm, duke pasur parasysh çka tha Kurti pas takimit. Me fjalë të tjera, vetë Kurti tha që takimi me LDK-në është kot, sepse na nevojiten 84 deputetë për me pasë presidentin.”, tha Avni Arifi njohës i çështjeve politike.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, që do të ishin të tretat për një periudhë gati njëvjeçare, shihen të pashmangshme.

“Me lojëra politike të Kurtit, ne shkojmë në zgjedhje. Edhe e vetmja rrugë që shihet tani për tani janë zgjedhjet, vetëm nëse shpëton ndonjë nënshtrim total i dikujt që do me bë marrëveshje politike me të, që nuk po duket se është në horizont. Përndryshe, zgjedhjet janë të garantuara.”, tha  Arifi

Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar më shumë qartësi nga kryeministri Kurti dhe t’i dërgojë në të shkruar ofertën e re para ndonjë takimi të mundshëm.

Parlamenti do të shpërndahet vetvetiu nëse deri më 28 prill nuk do të ketë një president të zgjedhur dhe Qeveria e Kosovës do të ketë një tjetër periudhë pa mbikëqyrje parlamentare.

“Ai [Kurti] po kënaqet me faktin se po vazhdon të jetë në zyrën e Kryeministrit. Ai po vazhdon të kënaqet që s’ka mbikëqyrje parlamentare, sepse nuk do të kemi, domethënë deri në fund të muajit nuk do të kemi as Kuvend, sepse pritet të shpërbëhet. Po i konvenon me ndenjur kështu në pushtet, me i gëzuar vetëm të mirat e saj, por jo edhe obligimet dhe detyrat që i ka Kosova, që i kanë nevojat që i kanë qytetarët e Kosovës.” tha Avni Arifi.

Kosova aktualisht është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Vjosa Osmani e mbylli mandatin e rregullt. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu do të ushtrojë funksionet e presidentes për 6 muajt e ardhshëm. (A2 Televizion)

1 Komente

  1. K
    Kurti u futi gishtin dardaneve te VV

    Keshtu do ta shtyje Kurti derisa te dale ne pension, Kosoven do ja dorrezon Vucicit, dhe vete do ti bashkohet familjes tij ne Beograd per jete lluksoze.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje