Tensione në veri të Kosovë/ Sulmohet një grup mediash, plagoset gazetari dhe kameramani

13 Qershor 2023, 16:24Rajoni TEMA

Tensione në veri të Kosovë/ Sulmohet një grup mediash,

Ekipi i televizionit lokal në Kosovë, ATV është sulmuar këtë të martë gjatë raportimit nga Zveçani, komunë në veri të Kosovës e banuar me shumicë serbe. Lajmin e ka bërë me dije Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku ka publikuar edhe fotot e automjetiti me xhama të thyer.

Sipas AGK-së, disa persona të maskuar nga sulmuar me gurë makinën me të cilën po udhëtonin tre pjesëtarë të ekipit të ATV-së, “e si pasojë lëndime të lehta trupore kanë marrë gazetari Fatlum Jashari dhe kameramani Blend Thaçi, si dhe u janë thyer xhamat veturës”.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës vazhdon të jetë i shqetësuar për ekipet e medieve që po raportojnë nga veriu i vendit, andaj i bëjmë thirrje Policisë së Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare atje të krijojnë kushte më të mira për ta”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në veri të Kosovës tensionet janë rritur që nga 26 maji, kur kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviç, hynë në objektet komunale për të marrë detyrën, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.


Që nga 29 maji, në këto tri komuna, serbët lokalë kanë protestuar vazhdimisht. Që kur janë rritur tensionet, AGK ka raportuar për dhjetëra raste të sulmeve ndaj gazetarëve, të cilët kanë përcjellë ngjarjet nga veriu i Kosovës.

Lini një Përgjigje