Turqia sot merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

10 Tetor 2023, 09:29Rajoni TEMA

Turqia sot merr drejtimin e KFOR-it në Kosovë

Këtë martë me një ceremoni zyrtare gjeneralmajori turk, Ozkan Ulutas, do të marrë komandën njëvjeçare mbi misionin e KFOR-it nga gjeneralmajori italian, Angelo Michele Ristuccia.

Gjeneralmajori turk do marrë këtë pozitë në një periudhë kur tensionet me Serbinë kanë shënuar rritje pas sulmit terrorist më 24 shtator në Banjë të Zveçanit ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Përndryshe, kjo do të jetë hera e parë që një zyrtar ushtarak turk komandon një mision paqeruajtës të NATO-s në Kosovë që nga përfundimi i luftës në vitin 1999.

Ndërsa katër ditë më parë, komandanti i KFOR-it, Angelo Michele Rusticcia, në konferencën e tij të fundit para gazetarëve e ka quajtur “sfidues” këtë vit sa i përket situatës së sigurisë në vend.

Ristuccia ka theksuar se vetëm një zgjidhje politike mund të sjellë paqe në rajon, duke theksuar se situata tani është më e qetë se që ka qenë disa javë më parë.

Ndërkaq pas tensionimit të situatës në Veri, tashmë kanë mbërritur në Kosovë kontingjenti i parë prej 200 ushtarësh britanikë – nga 400 gjithsejtë sa do vijnë për të përforcuar kështu misionin paqeruajtës të NATO-s.

Ushtarët britanikë që janë dislokuar në Kosovë janë nga Batalioni i Parë i Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit.

Pos Britanisë, edhe Gjermania do t’i dërgojë rreth 150 ushtarë në Kosovë në kuadër të misionit të NATO-s, KFOR-it. Po ashtu, edhe Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë po përgatitet të dërgojë ushtarakë shtesë në Kosovë.

Lini një Përgjigje