Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, kërkoi që autoritetet serbe të lirojnë zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviç, i cili u ndalua një ditë më parë në pikëkalimin kufitar të Jarinjës, që lidh Kosovën me Serbinë.
Pas takimit të rregullt me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Hovenier tha për mediat se me të parën e shtetit folën edhe për ngjarjet e 17 prillit, kur, sipas autoriteteve në Kosovë u ndaluan mbi 1.400 persona nga Serbia, teksa po kalonin transit nëpër Serbi.
Në mesin e të ndaluarve ishin edhe dhjetë zyrtarë policorë. Autoritetet thanë se nëntë zyrtarë policorë janë liruar, ndërkaq ndaj Jankoviçit, Serbia ka caktuar masën e paraburgimit prej 48 orësh nën akuzën për prishje të rendit kushtetues të Serbisë.
“Ne jemi të shqetësuar sepse atë e njohim tash e disa vjet për investimin e kohës dhe energjisë për komunitetin serb dhe policinë, duke ndihmuar dhe siguruar integrimin e suksesshëm të forcës policore që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës, pavarësisht etnisë së tyre. Ai ka pasur rol të rëndësishëm në sigurimin e ndjeshmërisë që lidhen me komunitetin serb adresohen nga Policia e Kosovës.
Ai ka luajtur rol edhe në mbikëqyrjen e njësisë që ofron mbrojtje për monumentet e trashëgimisë kulturore, përfshirë edhe manastiret ortodokse serbe, në një mënyrë të fuqishme, kuptimplote dhe efektive. Ne jemi shumë të shqetësuar dhe shpresojmë që ai të lirohet”,tha Hovenier.
Thirrje për lirimin e Jankoviqit dhe ulje të tensioneve bëri edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, duke e cilësuar të “papranueshëm” ndalimin e zyrtarit policor.
Lini një Përgjigje