Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të ri me votim të hapur përplas partitë politike në Kosovë

8 Gusht 2025, 17:32Rajoni TEMA
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjen e kryetarit të ri me

Lëvizja Vetëvendosje e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli për rrëzimin e diktatit.

Këto ishin reagimet e para ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila të premten vendosi që deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta zgjedhin kryetarin e ri përmes votimit të hapur, ndërsa i njëjti kandidat mund të votohet vetëm deri në tri herë. Sipas Kushtetueses, konstituimi i Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh.

Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), deri më tani ka propozuar vetëm Albulena Haxhiun për postin e të parës së Kuvendit, teksa edhe pas aktgjykimit paraprak të Kushtetueses, kishte argumentuar se ajo mund të zgjidhej përmes votimit të fshehtë.

Hekuran Murati, deputet i LVV-së, njëherësh ministër në detyrë i Financave, e cilësoi si të padrejtë vendimin e Kushtetueses.

Ai tha se në aktgjykimin e vitit 2014, Kushtetuesja “për ta mbajtur PDK-në me çdo kusht në pushtet”, vendosi se Qeveria nuk mund të formohej pa fituesin e zgjedhjeve dhe kryekuvendari i takonte vetëm partisë së parë.

Ndërkaq, kësaj radhe Kushtetuesja “thotë se vetëm votimi i hapur është i vlefshëm, dhe madje vendos edhe kufizim në vetëm 3 tentime, sepse fituesja është Lëvizja Vetëvendosje”.

“Kjo e fakton padyshim se vendimet e kësaj Gjykate nuk bazohen në Kushtetutë, por bazohen në atë se cila parti është në pyetje. Kjo nuk është drejtësi. Ky është arbitraritet klientelist, që synim ka t’ua sigurojë gardës së vjetër në tavolinë, atë çfarë nuk ua dha populli me votë”, shkroi ai në Facebook.

Saranda Bogujevci, deputete e LVV-së, tha se “demokracia përfaqësuese u anulua në Kosovë dhe nuk vlen më”.

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se me këtë vendim të Kushtetueses, u vërtetuan qëndrimet e partisë së tij, që LVV-ja “e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë Kushtetutës”.

Sipas tij, ky vendim është fitore për rendin kushtetues.
“Ky është konfirmim i plotë se bllokada, shkeljet dhe veprimet arbitrare të Lëvizjes Vetëvendosje ishin jo vetëm antikushtetuese, por edhe thellësisht të dëmshme për demokracinë dhe shtetin tonë”, shkroi Krasniqi në Facebook.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e mirëpriti vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e cilësuar si “fitore të madhe për demokracinë”.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku tha se me këtë vendim u vërtetua se LVV-ja shkeli Kushtetutën, për shkak se ndryshoi rendin e ditës dhe insistoi në votim të fshehtë për kryeparlamentarin.

“Fatkeqësisht, Kosova humbi kohë. Sot bëhen plot 180 ditë që nga mbajtja e zgjedhjeve. Gjysmë viti i humbur nga ata që imponimin e kanë si vlerë e përçmimin si metodë – gjithsesi paditurinë për të lexuar Kushtetutën e vendimet e saja si mburrje”, shkroi ai.

Ardian Gjini nga AAK-ja tha se me vendimin e Kushtetueses, “fitoi demokracia, u rrëzua diktati”.

Përmes një postimi në Facebook, Gjini tha se nuk mund të abuzohet në pafundësi me propozimin e vetëm një kandidati.
“Shteti nuk i nënshtrohet një individi”, shkroi ai.

Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.
Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndryshoi rendin e ditës, duke shmangur votimin e hapur dhe duke kërkuar formimin e një komisioni që do të mbikëqyrte votimin e fshehtë për kryeparlamentar.

Kjo formë e votimit u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Lista Serbe, që refuzuan të propozonin anëtar për këtë komision.

Gjatë seancave para 1 majit – kur votimi ishte i hapur – e propozuara e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, në disa votime nuk kishte arritur që të merrte 61 votat e nevojshme.
Haxhiu është cilësuar nga PDK-ja dhe AAK-ja si “figurë përçarëse”, ndërkaq LDK-ja ka deklaruar se nuk voton për asnjë kandidat të LVV-së për postin e kryetarit të Kuvendit./REL/

2 Komente

  1. P
    Putin Gelboqja

    te pakten ne boten perendimore eshte keshtu, kanditatura e 1 personi hidhet per votim vetem 3 here, se nuk e kalon votimin, propozohet emer tjeter. Por eshte e pabesueshme ajo qe ndodhi ne Kosove, 53 here votuan per te njejtin person, turp, turp, turp, e mori vesh gjithe bota qe Albin Kurti eshte majmun!

    Përgjigjjuni
    1. E
      E verteta.

      Si mendon eshte majmun apo spiun? Majmuni shikon interesin e vet dhe te shkul doren per nje banane, Albini nuk shikon interesin e Kosoves, apo ate personal, por interesin e serbit qe mezi pret te kethehet ne Kosove. Ai nuk eshte majmun, por spiun qe kerkon thjeshte destabilizimin e Kosoves dhe ti mbushi mendjen botes se ne nuk jemi te zot te bejme shtet...Kaq e thjeshte eshte kjo!....

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje