VIDEO/ Mijëra qytetarë mblidhen në Prishtinë kundër "padrejtësive" në Hagë, kërkojnë lirimin e krerëve të UÇK-së

7 Gusht 2025, 17:22Rajoni TEMA
VIDEO/ Mijëra qytetarë mblidhen në Prishtinë kundër

Mijëra qytetarë janë mbledhur të enjten në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për të protestuar kundër asaj që e quajnë padrejtësi nga Gjykata e Hagës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Protesta, e thirrur nga veteranët, ka mbledhur pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe qytete të Maqedonisë së Veriut.

Protesta synon të shprehë pakënaqësinë ndaj procesit gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Profesori Arsim Bajrami, në një intervistë për mediat, theksoi se në Hagë po gjykohet “historia e Kosovës dhe procesi i shtetndërtimit”. Sipas tij, në vend të veteranëve, në protestë do të duhej të ishte shteti i Kosovës.

Ndërkohë, bashkëshortja e Jakup Krasniqit, e cila i ishte bashkuar protestës, u shpreh se “në emër të popullit duhet të ketë gjykim lirues”. Ajo shtoi se është populli që vendos për çlirimtarët dhe jo gjykatat.

Vasfije Krasniqi, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, gjithashtu ishte pjesë e protestës. Ajo e cilësoi atë si një “mënyrë për të mbrojtur vlerat tona kolektive”. Për të, vlera e UÇK-së nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe shprehu krenarinë e saj për këtë ushtri.

Protestës i janë bashkuar edhe figura të tjera publike, si ish-kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, dhe kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi. Ky i fundit e quajti protestën “gjithëpopullore” dhe theksoi se lufta e UÇK-së ishte “e drejtë, e pastër dhe e kulluar”.

Protestuesit kanë mbërritur në Prishtinë me autobusë nga qytete të ndryshme si Gjilani, Peja, Prizreni, Istogu e Suhareka. Ata kërkojnë lirimin sa më të shpejtë të ish-krerëve të UÇK-së, duke i cilësuar ata si heronj që kanë sakrifikuar për lirinë e shqiptarëve.

Në shesh janë dëgjuar këngë patriotike, duke i dhënë protestës një dimension emocional dhe simbolik.

2 Komente

  1. I
    Ilir

    Ju LUMTE... me ne fund o vellezer! Edhe Ne ne Shqiperi DUHET te bejme nje manifestim ne mbeshtetje te heronjve te Kombit. Ata nuk jane thjesht heronjte e Kosoves por te te gjithe Kombit shqiptar. Ne i kemi harruar ne dore agjenteve serbe. Ky eshte TURP KOMBETAR.

    Përgjigjjuni
    1. T
      Tifo

      Po mu duk njeri si ai futbollisti I kombetares mbrojtesi

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje