
Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiç kandidat i Partisë Përparimtare në zgjedhjet presidenciale të 3 Prillit, paralajmëroi se do të japë dorëheqjen nga kryesimi i partisë se tij.
“Unë do të jem aty gjatë zgjedhjes së qeverisë se re dhe me siguri do të ndikoj, aq sa është e mundur, në performancën e saj, pastaj do të largohem nga lidershipi i partisë”, tha Vuçiç për të përditshmen serbe “Politika”. Sipas Vuçiç dhjetë vjet në krye të partisë është një periudhë e gjatë ku ai deklaroi se nuk ka humbur asnjë betejë.
Gjithsesi nëse fiton një mandat të ri presidencial Vuçiç premtoi një pagë mesatare prej 1000 Euro dhe një pension prej 500 Euro deri në fund të vitit 2026. Presidenti serb mohoi zerat se vendi i tij do të vendosë sanksione ndaj Rusisë, pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale që do të mbahen në Serbi, më 3 Prill.
Serbia është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës më 24 Shkurt. Ky pozicion nuk është në përputhje me politikën e jashtme të Bashkimit Europian kur bëhet fjalë për Rusinë.
Në seancën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, të mbajtur më 2 Mars, Serbia, megjithatë, i është bashkuar rezolutëës ku dënohej agresioni rus ndaj Ukrainës.
Lini një Përgjigje