
Kur në fillim të vitit 2020 Zoran Milanoviç u zgjodh president i Kroacisë pas Kolinda Grabar-Kitaroviç e Bashkimit Demokratik Kroat rezultati u mirëprit me entuziazëm në Ballkan.
Gjatë fushatës Milanoviç u duk se ofronte një qasje të re krahasuar me rrugën pak konstruktive të ndjekur nga Grabar-Kitaroviç, e shquar ndër të tjera edhe për gafa diplomatike.
Shumë shpresonin se presidenti i ri nga Partia Social Demokrate do të abstenonte nga provokimi i tensioneve në rajon, sidomos në lidhje me ndërhyrjet në politikën e Bosnjë dhe Hercegovinës.
Por nuk u desh shumë për të mbetur të zhgënjyer. Pozicioni i tij gradualisht do të kalonte drejt rrugës së nacionalizmit populist dhe qëndrimeve pro ruse.
E fundit ishte ajo e të hënës së 30 janarit.
Duke folur menjëherë pasi disa vende evropiane ranë dakord të dërgonin tanke në Ukrainë, presidenti kroat argumentoi duke kërkuar që Kroacia mos të përfshihej në luftë, por sipas tij, duhet të dërgojë vetëm ndihmë humanitare dhe të dënojë agresionin. Ai shkoi edhe më tej duke krahasuar aneksimin e Krimesë nga Rusia me pavarësinë e Kosovës nga Serbia.
“Kush e aneksoi Kosovën? Komuniteti ndërkombëtar, përfshirë ne”, tha Milanoviç të hënën në fjalimin e tij në qytetin kroat Petrinja, ku foli për luftën në Ukrainë.
“Kosova i është marrë Serbisë me dhunë, është nxjerrë, është marrë një pjesë e territorit serb. Si e quani këtë? Nxjerrje”.
Ndërsa ai dënoi pushtimin rus kundër Ukrainës do të vazhdonte t’i bënte jehonë ama politikës së Kremlin-it në lidhje me ngjashmëritë mes Kosovës dhe Krimesë.
“Unë nuk e vë në dyshim Kosovën, por të gjithë konceptin ku dikush mendon se mund të bëjë gjithçka kur i përshtatet, por kur e bën pala tjetër, atëherë është krim”, tha Milanoviç përpara kamerave. “Është e qartë se Krimea nuk do të jetë më kurrë pjesë e Ukrainës”.
Nuk është hera e parë që presidenti kroat bën deklarata të diskutueshme dhe me qëndrime konfrontuese me ato të qeverisë kroate. Të njëjta kanë qenë edhe pak para dhe pas fillimit të luftës ruse në Ukrainë, qëndrime absolutisht pro-ruse dhe në kundërshtim me qëndrimin e qeverisë, e një qeverie që është pjesë e BE-së dhe NATO-s.
Ndërsa nga Prishtina nuk ka akoma asnjë reagim zyrtar në lidhje me deklarata e Milanoviç-it, Ministria e Jashtme e Kiev-it reagoi menjëherë ditën e martë.
“Ne i konsiderojmë të papranueshme deklaratat e presidentit të Kroacisë, i cili në fakt vuri në pikëpyetje integritetin territorial të Ukrainës”, tha Oleh Nikolenko, zëdhënës i ministrisë.
Reagim erdhi menjëherë edhe nga vetë kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, i cili tha se presidenti “po zhytet gjithnjë e më thellë në moçal”.
Por ky nuk ka qenë i vetmi zhgënjim nga Milanoviç.
Në shkurt të vitit 2022, përpara pushtimit rus të Ukrainës, Milanoviç ndezi një polemikë duke thënë se nuk ka stabilitet në Evropë pa Rusinë.
Ai gjithashtu argumentoi se Ukraina nuk duhet të pranohet në NATO dhe se në rast lufte trupat kroate do të tërhiqen nga Ukraina.
Në maj 2022, Milanoviç përsëri mori një pozicion mjaft pro rus, duke thënë se ai do të vërë veton ndaj pranimit të Suedisë dhe Finlandës në NATO nëse mundet dhe ka refuzuar të presë trajnimin e trupave ukrainase në Kroaci.
Në gusht të po të njëjtit vit, Milanoviç tha se sanksionet perëndimore kanë dëmtuar Kroacinë dhe nuk janë efektive kundër Rusisë. Si anëtare e BE-së dhe NATO-s, qeveria kroate vendosi sanksione ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës më 24 shkurt.
Në janar të këtij viti, Milanoviç kritikoi drejtpërdrejt sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, duke i quajtur ato “një katastrofë dhe marrëzi totale”.
Një nga skandalet e Milanoviç-it ka qenë një deklaratë e tij gjatë një darke, ku mohonte se në Srebrenicë, ku u masakruan mbi 8 mijë myslimanë gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995, të ishte kryer një gjenocid i mirëfilltë.
Në Srebrenicë në vitin 1995 do të ishin “kryer krime të rënda, por jo një gjenocid i vërtetë”, pati deklaruar Milanoviç.
Mohimet e mëvonshme të Presidencës së Zagrebit, të cilat flisnin për interpretime të pasakta të fjalëve të Milanoviç-it, ishin pak të dobishme, për të shuar indinjatën që ato krijuan.
Jo të pakta kanë qenë ndërhyrjet në politikat e Bosnjës dhe në influencën për ndryshimin e ligjit elektoral atje. Shpesh duke përdorur anëtarësimin e Kroacisë në BE duke dhënë imazhin e përfaqësimit të vlerave dhe standardeve evropiane që duhet të përcjellin në Bosnjë.
Dihet që figura e Presidentit në Kroaci është një figurë ceremoniale edhe pse ai është Komandanti Suprem i Forcave të Armatosura.
Por pavarësisht kësaj qëndrimi pro rus i Milanoviç-it ( edhe pse ai e mohon këtë) nuk bëri gjë tjetër veçse entuziazmoi shpirtrat nacionalistë në Rusi dhe Serbi, duke i shkaktuar një dëm të rëndësishëm imazhit të vendit që është anëtar i NATO-s dhe BE-së.
Nuk mendohet se ky dëm mund të shkojë më tepër se kaq.
Por sigurisht nga njëra anë vë në dukje akoma më shumë problemet që ka Brukseli brenda vetes, atij Unioni jo vetëm politik, por edhe vlerash.
Von der Leyen në fjalimin e saj të parë mbi gjendjen e Unionit pati thënë “vlerat evropiane nuk janë në shitje”. Por në këto vite populizmash dhe sovranizmash kjo maksimë ka qenë më se e diskutueshme.
Nga ana tjetër qëndrimi i presidentit kroat e bën akoma më emergjente dhe të dukshme për Evropën nevojën e integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. /Albanianpost.com
Po ore po! Sa herë dikush ka sy të shikojë dhe gojë të thotë të vërtetën për ju është " i paditur"! Kujtoni se e doni Shqipërinë kështu por ky juaji është nacional-komunizëm.... Nacional - komunizmat, edhe po ke forcë dhe disiplinë të hekurt ,dikur bëhen copa na mëson historia. Le më pastaj nëse je vetëm një morr bythe që nuk di të krijosh as shtetin as jetën tënde,nuk ke ushtri dhe nuk t'a ndien fare për vendin tënd....në këto raste nuk ke fare surrat! Një jetë të gjithë duke kërcënuar fqinjët një herë pas turkut,pastaj pas austriakut,pastaj pas Italisë,Gjermanisë naziste, sovjetikëve,amerikanëve ,sot pas NATO-s, e dreqit me të birin.... Hë ,hë se nëse vjen ora e mbrame do të të mbrojë NATO o derëzi!
Gole-ka ca gjera te verteta ne ate qe shkruani, por ajo qe eshte teper e turpshme nga ana juaj eshte fakti se e hap komentin me shprehjen "Sa herë dikush ka sy të shikojë dhe gojë të thotë të vërtetën për ju është " i paditur". Nuk e kuptoj se ku e shikoni juve "te veteten" e ketij injorantit kroat? Si ka mundesi qe te krahasohet rasti i Kosoves me ato qe po ndodhin ne Ukraine? Kosova ka qene territor i pushtuar nga Serbia, pasi Mbreterise se Serbise ju dha e drejta qe ta bente te veten nga konferenca e Ambasadoreve te 1913-tes. Deri ne vitin 1960, ne kushtetuten e shtetit te atehershem Jugosllav, Kosova ishte konsideruar "territor i okupuar". Ishte Tito qe rishikoi kushtetuten e atij vendi dhe shpiku Kosoven si krahine Autonome ne suazen e Republikes se Serbise. Kur Jugosllavia, si konglomerat popujsh u shperbe dhe te gjithe popujt e tjere ne ish Jugosllave shpallen territoret e tyre si shtete me vete, perse nuk paska Kkosova te drejten per te bere te njejten gje, kur perberja e popullsise atje eshte 95% shqiptare? E verteta nuk eshte aspak ajo qe thote ky hajvani president, por ajo qe e di e gjithe bota, se Kosova eshte shtet i pamvarur dhe sovran me te drejten e Zotit. Po deshet te verteten absolute, ajo eshte se Kosova eshte nje krahine e shkeputur perdhunisht prej trungut te shtetit ame, Shqiperise. Sa i perket pretendimeve ruse ne Ukraine, ato jane pa asnje baze, pasi ne zonat qe Rusia pretendon, ka popullsi ruse ne nivele shume me te ulta se sa ata pretendojne. Sidoqofte, edhe historikisht, Kosova eshte e banuar nga shqiptaret qe ne antikitet, ndersa ruset ne Ukraine jane te ardhur, por qe kane te drejte qe te jetojne paqesisht me autoktonet ukrainas si minoritet i njohur zyrtarisht nga Kievi. Agresioni rus kunder Ukraines nuk eshte aspak i justifikuar me perrallat e Putinit, qe me sa duket juve i konsiderokeni te "verteta".