Tingëllon ndoshta e çuditshme, por në fakultetet e mjekësisë dhe shkencat mjekësore kudo në botë, mungojnë kurset dhe trajnimet e mirëfillta në lidhje me rëndësinë e mënyrës së të jetuarit dhe të ushqyerit.
Por, pse një student që përgatitet të bëhet mjek mëson gjithçka për simptomat, diagnozat mjekimet dhe shumë pak, në mos aspak, për rëndësinë e stilit e jetesës tek shëndeti i njeriut? Kush ka interes që një mjek të mos mësojë se si të parandalojë sëmundjet, por vetëm si t’i menaxhojë ato? Kush përfiton kur pacientët sëmuren, dhe kush humbet kur ata fillojnë të kuptojnë lidhjet midis ushqimit, stresit, gjumit, dhe më gjerësisht, jetesës së shëndetshme?
Në episodin e radhës të Apostrof Podcast, bisedojmë me mjeken nutricioniste Albana Daka në lidhje me impaktin e ushqimit dhe stilit të jetesës tek shëndeti i individëve.
Duket sikur, në vend që të ndërtojmë një sistem shëndetësor rreth parandalimit dhe mirëqenies, kemi krijuar industri që mbijetojnë nga sëmundjet. Mjekësia bëhet teknike, farmaceutike, e fokusuar tek simptomat dhe jo tek rrënjët.
Po, a është e mundur që një mënyrë jetese e shëndetshme të shërojë më shumë se një pilulë? Dhe nëse po, pse nuk është kjo qasja bazë në sistemin tonë shëndetësor? Ndoshta sepse një pacient që nuk sëmuret nuk është një klient i mirë. Ndoshta sepse një mjek që parandalon, nuk është një hallkë funksionale në një ekonomi që lulëzon mbi sëmundjen.
Dhe nëse është kështu, a kemi të bëjmë ende me mjekësi, apo me një sistem të rafinuar shitjeje ku shëndeti është vetëm premtimi, dhe trajtimi produkti?
Lini një Përgjigje