Nëse sot vendos të ushqehesh shëndetshëm, do ta ndjesh menjëherë në portofol. Ushqimet e përpunuara, pavarësisht rreziqeve që paraqesin për shëndetin e njerëzve, kushtojnë më pak dhe janë shumë më të aksesueshme se sa produktet organike dhe të shëndetshme. Por, pse ndodh kjo?
Përgjigjja brutale dhe e thjeshtë është: sepse duhet të jenë.
Ushqimet e përpunuara nuk prodhohen për të ushqyer, por për të qarkulluar dhe që të qarkullojnë sa më shumë, duhet të jenë sa më të lira, me jetëgjatësi sa më të madhe në raft, sa më të bukura në paketim dhe - sigurisht - të krijojnë varësi. Sa më shumë i konsumon, aq më shumë të tërheqin. Dhe sa më shumë të tërheqin, aq më të dobishëm bëhemi si konsumatorë për supermarketin, për prodhuesin, për industrinë ushqimore në tërësi.
Nga ana tjetër, një mollë nuk ka markë. Një domate nuk ka paketim që të shkëlqejë në raft. Ushqimet natyrale nuk kanë buxhete marketingu, pasi janë produkte të tokës dhe jo të laboratorit. Dhe për ironi, pikërisht pse janë reale, kanë kosto më të lartë dhe jetëgjatësi më të shkurtër. Por, në një sistem që funksionon mbi fitimin, kjo është dobësi.
Rritja e konsumit të ushqimeve të përpunuara nuk vjen thjesht për shkak të mungesës së informacionit, por është një çështje më strukturore, pasi sa vjen dhe bëhet më e qartë se sistemi ynë ushqimor nuk është ndërtuar për të na bërë të shëndetshëm. Ai është ndërtuar për të qenë i qëndrueshëm ekonomikisht dhe kjo do të thotë të krijojë varësi, konsum të vazhdueshëm dhe përfitim të përhershëm.
Sa më pak të vlen ushqimi për trupin, aq më shumë vlen për tregun.
Lini një Përgjigje