Paketa e kataraktës në 8 spitale, Manastirliu: 3700 të moshuar përfituan lentet falas

13 Janar 2023, 12:25Shëndeti TEMA

Paketa e kataraktës në 8 spitale, Manastirliu: 3700 të moshuar

Me investimet e fjalës së fundit të teknologjisë në shërbimin e Okulistikës në Spitalin Rajonal të Elbasanit është siguruar paketa e kataraktës dhe lentet falas për të moshuarit, me cilësi dhe afër vendbanimit. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu vizitoi Spitalin e Elbasanit së bashku me Drejtuesin Politik të PS Damian Gjiknuri dhe Kryetarin e Bashkisë Gledian Llatja.

 “Në total në vend janë 3700 ndërhyrje operatore të kryera vetëm për kataraktën, në të gjithë sistemin shëndetësor publik gjatë vitit 2022”- tha Manastirliu.

Drejtuesi Politik i Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri tha:

“Çdo muaj këtu shihet ndryshimi dhe Spitali Rajonal i Elbasanit ka një transformim tërësor. Është një punë që s’ka përfunduar dhe vetë e thatë që ne do të vazhdojmë ta mbështesim këtë spital dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët”.

Investimi i fundit në shërbimin e Okulistikës vjen në serinë e investimeve të kryera në Spitalin Rajonal të Elbasanit, duke filluar nga Spitali i ri i Urgjencës dhe Patologjisë, Pediatria e re, rinovimi i aparaturave mjekësore të teknologjisë së lartë. Investimet do të vijojnë edhe me buxhetin e vitit 2023, me rehabilitimin e Poliklinikës së qytetit, qendrave shëndetësore dhe zgjerimin e gamës së aparaturave mjekësore të fjalës së fundit.

Sa i takon paketës së kataraktës, ajo ofrohet falas në tetë spitale, konkretisht në QSUT, Spitalin Universitar të Traumës, Spitalet Rajonale të Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Korçës, Fierit dhe Elbasanit, duke i krijuar mundësi të moshuarve kryerjen e ndërhyrjes dhe lentet falas në sistemin shëndetësor publik.

1 Komente

  1. p
    pirro

    Manastirliu: leri Spitalet Publike si Spitale Publike Kontrollo PPP sepse DISA PREJ TYRE pikerisht PPP e laboratoreve po shkaterrojne kujdesin mjekesor ndaj pACIENTIT

    Lini një Përgjigje