Shpesh mendojmë se një ditë produktive, ku jemi të destinuar për sukses, duhet të nisë me një rutinë rigoroze të mëngjesit. Por, ndonëse konsumi i kafes, stërvitja qysh herët dhe renditja e prioriteteve të ditës mund të ndihmojnë, nuk janë këto mënyra më e mirë për ta përgatitur veten për një ditë të mirië.
I ftuar në episodin e radhës të Apostrof Podcast, neurokirurgu Dr. Ardit Lame, shprehet se çelësi për një ditë të mirë gjendet jo te mëngjesi, por te nata e mëparshme dhe ka të bëjë i gjithi me gjumin. Ai shpjegon se rëndësia e gjumit nuk lidhet vetëm me numrin e orëve që shpenzojmë në shtrat, por sidomos me orarin kur flemë. Në mënyrë që truri ynë të funksionojë në mënyrë optimale të nesërmen, thotë Dr. Lame, duhet që brenda mundësive të respektojmë ritmin natyral të trupit, që është zhvilluar përgjatë shekujve në përputhje me ciklet e ditës dhe natës. Në të shkuarën, njerëzit shkonin në shtrat në perëndim të diellit dhe zgjoheshin me lindjen e tij. Por, jeta moderne me shpikjen e dritës elektrike, netët e gjata dhe koha e tepërt e shpenzuar përpara ekraneve, e pengojnë këtë cikël, çka mund të ketë efekte serioze në trurin njerëzor.
Lame thekson se gjumi në orarin e duhur – idealisht mes orës 10:00 të mbërmjes dhe 6:00 të mëngjesit – është thelbësor për shplodhjen e trurit dhe përgatitjen e tij për ditën tjetër. Pikërisht gjatë kësaj kohe, gjendra pineale prodhon melatoninën, hormonin e nevojshëm për një gjumë të thellë dhe shplodhës. Ndaj, nëse shtrihesh për të fjetur vonë, edhe nëse bën tetë orët e nevojshme, truri nuk do të mund të shplodhet plotësisht.
Çështja nuk është vetëm te sasia e orëve të shpenzuara në gjumë, por sinkronizimi i tij me kohën kur truri ka më tepër nevojë. Injorimi i këtij cikli natyror, duke qëndruar zgjuar deri vonë apo duke përdorur stimulant si kafeina ose alkooli përpara gjumit, kompromenton aftësinë e tij për t’u vetëriparuar, duke bërë që performanca jonë dhe ekuilibri emocional të nesërmen të mos jenë në nivielin optimal.
Episodi i plotë i Apostrof Podcast publikohet të dielën, ora 17:00.
Lini një Përgjigje