Shkencëtarët kanë zbuluar për herë të parë një lidhje mes ndikimit që ka jeta në një shoqëri të pabarabartë – pavarësisht pasurisë individuale dhe familjare – me ndryshime strukturore në trurin e fëmijëve.
Studimi që përfshiu mbi 10.000 të rinj në SHBA, zbuloi ndryshime në zhvillimin e trurit të fëmijëve nga familje të pasura dhe ato me të ardhura të ulëta, të cilat jetojnë në zona me pabarazi të lartë. Sipas këtij studimi, ndryshimet shoqërohen gjithashtu edhe me përkeqësim të shëndetit mendor.
Shkencëtarët thanë se rezultatet sugjerojnë se “pabarazia krijon një mjedis social toksik," i cili “ndikon literalisht në zhvillimin e mendjes tek të rinjtë.”
Ekspertë nga King’s College në Londër, Universiteti i Nju Jorkut dhe ai Harvardit, analizuan imazhet e skanuara nga 10.071 fëmijë të moshave nga 10 në 17 vjeç në SHBA. Ekipi i stuiduesve përllogariti pabarazinë duke matur shpërndarjen e të ardhurave në shoqëri. Shtetet me pabarazi më të madhe ishin ato të Nju Jorkut, Konektikatit, Kalifornisë dhe Floridas, nërsa Utah, Uiskonsin, Minesota dhe Vermonti kishin një diferencë më të vogël në të ardhura mes familjeve të pasura dhe atyre me të ardhura më të ulëta.
Duke analizuar imazhet e skanuara të trurit të fëmijëve, kërkuesit studiuan sipërfaqen dhe trashësine e regjioneve të ndryshme të korteksit – shtresa e jashtme me rrudha e trurit – përfshi zonat që lidhen me kujtesën, vëmendjen, emocionet dhe gjuhën. Ata vërejtën gjithashtu lidhje mes zonave të ndryshme të trurit dhe ndryshime në qarkullimin e gjakut.
Studimi zbuloi se fëmijët që jetojnë në zona me pabarazi më të lartë, kishin një sipërfaqe më të reduktuar të korteksit dhe ndryshime në lidhjet mes zonave të ndryshme të trurit, pavarësisht rrethanave individuale, si të ardhurat e secilës familje apo arsimimi.
Ekspertët deklaruan se zbulimet, të cilat u botuan në revistën shkencore Nature Mental Health, tregojnë se pabarazia në të ardhura përbën një “faktor vendimtar unik në nivel shoqëror në lidhje me shëndetin mendor, pavarësisht statusit individual socioekonomik.”
Dr. Divyangana Rakesh nga Instituti i Psikiatrisë, Psikologjisë dhe Nuroshkencës pranë King’s College, u shpreh se “kjo nuk ka të bëjë vetëm me të ardhurat individuale të familjes, por me mënyrën se si të ardhurat shpërndahen në shoqëri. Fëmijë si nga familje të pasura, ashtu edhe nga familje me të ardhura të ulëta, shfaqën ndryshime të nurozhvillimit dhe ne vendosëm se kjo ka një impact afatgjatë në mirëqenie.”
Studiuesit analizuan gjithashtu mënyrën se si këto ndryshime në tru mund të ndikojnë në shëndetin mendor. Ekipi shfrytëzoi të dhëna nga pyetësorë të realizuar me fëmijë të moshave 10 dhe 11 vjeç, dhe zbuluan se shëndeti mendor përkeqësohej tek ata të cilët jetonin në shoqëri të pabarabarta.
Prof. Kate Pickett nga Universiteti i Nju Jorkut dhe bashkëautore e studimit, u shpreh se rezultatet tregojnë se zvogëlimi i pabarazive në shoqëri “nuk lidhet vetëm me ekonominë, por është një detyrim për shëndetin publik”.
“Ndryshimet e vërejtura në zona të trurit, të cilat lidhen me rregullimin emocioneve dhe të vëmendjes sugjerojnë se pabarazia krijon një mjedis social toksik, që literalisht formëson mënyrën se si zhvillohen mendjet e reja, me pasoja për shëndetin mendor dhe impakt të përhershëm. Ky është një zhvillim i rëndësishëm në mundësinë për të kuptuar se si pabarazia në nivel shoqëror arrin të ndikojë shëndetin mendor,” tha Prof. Pickett.
Ndërkaq, Rakesh u shpreh se: “Taksimi progresiv, krijimi i rrjeteve të sigurisë sociale dhe kujdesi shëndetësor universal, mund të ndihmojnë në zbutjen e faktorëve të stresit që ndikojnë në mënyrë joproporcionale tek fëmijët në shoqëri më të pabarabarta. Gjithashtu, inciativat për krijimin e komuniteteve dhe investimet në infrastrukturën publike mund të zvogëlojnë pasojat negative të pabarazisë, duke promovuar besim dhe kohezion social.
Studimet e ardhshme mund të përqëndrohen tek pabarazia në Mbretërinë e Bashkuar, tha Rakesh. “Jemi të interesuar t’i krahasojmë këto zbulime me të tjera të ngjashme në pjesë të tjera të botës. Për shembull, ka një sërë zonash në Mbretërinë e Bashkuar që karakterizohen nga një pabarazi e lartë në të ardhura. Londra shfaq shenja të mëdha pabarazie, me banorë shumë të pasur dhe shumë të varfër.”
Jo mo jo, po ne komunizem ku njerzit ishin te barabarte thonin s'kem liri. Tani qe kemi dhene liri te fortit, injorantit dhe huliganit te shfrytezoj te dobtin dhe te vobektin, thoni qe i ben keq femijve.