Kirurgu ortoped Dr. Vilson Ruçi paralajmëron se tre zakone të përditshme, që shpesh neglizhohen, kanë ndikim të madh negativ në shëndetin e kockave: pijet e gazuara, konsumi i tepërt i kafesë dhe dietat drastike.
“Përdorimi i pijeve të gazuara, kafet e shumta - mbi tre katër kafe në ditë - këto ndikojnë në metabolizmin e kockës në mënyrë shumë negative… Dietat drastike deri në ekstreme japin dëmtim të madh të kockave, pasi kockat kanë në përbërje dy elementëthelbësorë që janë kalciumi, vitamina D dhe proteinat,” – tha Dr. Ruçi në një intervistë për Apostrof Podcast.
Ai thekson se kockat janë ato që e ndiejnë të parat këtë degradim metabolik, bashkë me lëkurën dhe flokët. Pasojat, sipas tij, mund të shfaqen në formën e dobësimit të skeletit, humbjes së forcës dhe rrezikut të shtuar për fraktura apo osteoporozë.
Dr. Ruci apelon për më shumë kujdes me stilin e jetesës, duke theksuar se shmangia e këtyre zakoneve dhe një dietë e balancuar janë thelbësore për ruajtjen e shëndetit të kockave në një kohë kur jeta sedentare po dëmton gjithnjë e më shumë trupin tonë.