Apostrof/ Si po e "rishkruan" jeta moderne skeletin njerëzor? (VIDEO)

7 Shtator 2025, 17:11Shëndeti TEMA
Apostrof/ Si po e "rishkruan" jeta moderne skeletin njerëzor?

Rrallëherë mendojmë për skeletin njerëzor dhe kockat brenda trupit tonë, derisa ndiejmë shqetësim, dhimbje, apo pësojmë ndonjë frakturë. Megjithatë, siç na kujton kirurgu ortoped, Dr. Vilson Ruci në episodin e 34-t të Apostrof Podcast, skeleti është më shumë se sa thjesht një strukturë mekanike. Ai shërben si një arkiv i gjallë, i cili ruan kujtesën e lëvizjeve tona, lëndimet, plagët, zakonet, apo edhe kulturën.

Përgjatë bisedës, eksploruam paradoksin e skeletit njerëzor: i brishtë dhe njëkohësisht rezistent, privat e i fshehur nën shtresa indesh dhe muskujsh dhe njëkohësisht publik, tejet personal dhe njëkohësisht në themel të vetë qytetërimeve. Por, çfarë do të thotë kur vetë forma dhe struktura e tij nis të ndryshojë për shkak të presionit të jetës modern?

Episodi nis një aspekt të thjeshtë, por tepër thelbësor: lëvizjen. Dr. Ruci thekson se lëvizja dhe aktiviteti fizik janë jetike për trupin tonë, por ndërsa ne shpesh e lidhim aktivitetin fizik me ushtrimin në palesstër, ai thotë se kjo e fundit nuk është zgjidhja ideale. “Unë do të rekomandoja ecjen… minimumi duhet të bëjmë 10.000 hapa në ditë, që janë rreth shtatë kilometra,” shpjegon Dr. Ruci. Por, për mjekun, ecja shkon përtej të qenit thjesht një ushtrim fizik për të mbajtur trupin në formë dhe të shëndetshëm. Ai na kujton se migrimi i njerëzve të parë nga Afrika në pjesë të tjera të botës – duke garantuar edhe mbijetesën e species tonë – ishte i mundur vetëm për shkak të rezistencës së trupave tanë përmes ecies.

Megjithatë, teksa shumica e punëve dhe profesioneve sa vjen dhe bëhen më inteligjente, jetesa moderne duket sikur na mban të lidhur në tryeza dhe ekrane kompjuterash dhe telefonësh. Kjo shkakton sforcim të syve, dëmtime të qafës dhe posturës. Dr. Ruci sugjeron dy strategji të thjeshta që ndihmojnë në këtë rast. E para, është shkëputja nga ekrani i kompjuterit çdo një orë për pesë minuta. Një tjetër strategji e thjeshtë është rregulli “20-20-20,” që nënkupton shkëputjen nga ekrani çdo 20 minuta, për të parë në një distance prej të paktën 20 metrash për 20 sekonda.

Kjo, thotë Dr. Ruci, duhet të shërbejë si një lloj kujtese se trupat tanë kanë nevojë për intervale lirie, për të shamngur disevolucionin që po shkakton jeta sedentare.

Disevolucioni ishte pikërisht edhe një nga idetë me goditëse të bisedës. Ndërsa evolucioni na dha këmbë të forta, qëndrimin drejt, lirimin e duarve për të prodhuar mjete pune dhe armët e para që gargantuan mbijetesën tonë, ndryshimi i mënyrës së jetesës po e zhbën këtë progress. Rutina sedentare, dietat e pashëndetshme dhe mbajtja përkulur e qafës në mënyrë konstante mbi ekranet e telefonëve, po krijojnë një brishtësi të strukturës së skeletit tonë. Pra, në njëfarë mënyre, skeleti njerëzor nuk po evoluon, por mund të jetë duke bërë hapa pas në këtë drejtim.

Por, skeleti reziston. Ai është çfarë mbetet kur gjithçka tjetër zhbëhet. Megjithatë, siç thekson Dr. Ruci, rezistenca dhe jetëgjatësia nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht mbijetesë të përhershme të tij. Pa kujdes të përditshëm, lëvizje dhe ndërgjegjësim, skeleti njerëzor fillon të degradojë, jo vetëm tek individët, por në gjenerata të tëra.