Infeksionet seksualisht të transmetueshme po shënojnë rritje në Shqipëri, paralajmëron mjekja infeksioniste Dr. Alma Hoxha. Në një bisedë në Apostrof Podcast, ajo theksoi se rastet me sifiliz, HIV, gonorre, trichomonias dhe klamidia janë shtuar ndjeshëm vitet e fundit.
“Me shtimin e turizmit masiv dhe kontakteve të rastësishme, po shohim rritje të dukshme të infeksioneve seksualisht të transmetueshme. Kemi më shumë raste me sifiliz, HIV dhe sëmundje të tjera që deri para pak kohësh shiheshin më rrallë,” u shpreh Hoxha.
Një nga problemet kryesore, sipas saj, është përdorimi i ulët i masave mbrojtëse. “Në të gjitha rastet që na vijnë, kur i pyesim a keni përdorur masa mbrojtëse, përgjigjja është pothuajse gjithmonë jo. Përdorimi i kondomit është shumë i vogël dhe nuk shihet si gjë e rëndësishme,” tha mjekja.
Hoxha shtoi se jeta e natës, vera, pijet alkoolike dhe turizmi ndikojnë dukshëm në përhapjen e këtyre infeksioneve, duke e bërë rrezikun më të madh sidomos për të rinjtë.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e infeksioneve seksualisht të transmetueshme përbën jo vetëm problem shëndetësor individual, por edhe sfidë të rëndësishme për shëndetin publik në vend.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast:
Rezistenca ndaj antibiotikëve dhe rikthimi i sëmundjeve të vjetra