Prej kohësh dëgjojmë të flitet për fenomenin e njohur si « text neck », dhimbja e qafës e shkaktuar nga qëndrimi i gjatë para ekraneve, kryesisht atij të telefonit, përdorimi i të cilit imponon edhe një postur më të përkulur të qafës.
I ftuar në Apostrof Podcast, kirurgu ortoped, Dr. Vilson Ruci paraljmëron se ky nuk është thjesht një mit i nxitur nga rrjetet sociale, por një realitet tashmë.
“Orët e shumta, jo vetëm në telefon, por edhe në kompjuter janë një problem, një disevolucion. Ne po ndalojmë zhvillimin normal të skeletit tonë, gjë që vështirëson qëndrimin, posturën.”
Sipas tij, pasojat e para shfaqen tek qafa dhe pjesa cervikale, e cila fillon të deformohet nga qëndrimi i gjatë para ekranit..
“Problemet e para janë të qafës, e cila fillon dhe deformohet nga pozicioni i gjatë shumë orë para ekranit, apo dhe më keq përpara telefonit.
Më pas, shfaqja e problemeve te tendinat, te gishtat e duarve, sidomos te adoleshentët. Shfaqja e problemeve te kyçet e duarve, te nervat e gishtave dhe të kyçit, të dorës, nga përdorimi i tepruar. Dhe nuk është vetëm kjo, po rrezatimi që emetojnë ekranet, sidomos në orët e vona të pasdites dhe të natës, janë shumë të dëmshëm për sistemin nervor qendror.”
Për të shmangur këto pasoja, Dr. Ruci rekomandon përdorim më të kufizuar të këtyre pajisjeve, por edhe shkëputjen për 5 minuta çdo orë prej tyre, si një nga mënyrat më të thjeshta dhe efektive për të mbrojtur skeletin dhe shëndetin në përgjithësi.
Ndiq episodin e plotë të Apostrof Podcast: Si po e "rishkruan" jeta moderne skeletin njerëzor?